Kompania Twitter tha se do t’ia transferojë më 20 janar administratës së Joe Bidenit kontrollin e llogarisë së përdorur nga Presidenti Trump me emrin @POTUS.
Kjo është llogaria zyrtare e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe është e ndarë nga ajo e njohur me emrin @realDonaldTrump që Presidenti Trump përdor për të postuar në Twitter.
Kompania tha të shtunën se “po përgatitet aktivisht të mbështesë kalimin e llogarive institucionale Twitter të Shtëpisë së Bardhë më 20 janar, 2021.”
“Ashtu siç vepruam për tranzicionin presidencial në vitin 2017, ky proces po bëhet në konsultim të ngushtë me Arkivat dhe Regjistrat Kombëtarë,” tha kompania të shtunën.
Twitter gjithashtu do të bëjë kalimin e llogarive të tjera të Shtëpisë së Bardhë në ditën e inaugurimit.
Kompania do të takohet me zyrtarët e ekipit të tranzicionit të Bidenit dhe të nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris për të diskutuar mbi hollësitë e përdorimit të këtij rrjeti social nga administrata e re.
Nga ana e saj, kompania Facebook tha se “Në vitin 2017, ne punuam me administratën Obama dhe administratën e re Trump për të garantuar një tranzicion pa probleme të llogarive të tyre në Facebook dhe Instagram më 20 janar dhe presim të bëjmë të njëjtën gjë edhe kësaj here.”