Romë, 21 dhjetor – Për të nxitur një bisedë të shëndetshme në platformë, “Twitter” po eksperimenton me mesazhe “humanizimi”, për t’u treguar përdoruesve si të nxjerrin në pah gjërat që kanë të përbashkët me ndërvepruesit e tjerë.
“Risia, e quajtur “Nxitja e humanizimit”, do të testohet në 10% të përdoruesve të Android, të cilët flasin anglisht”, njoftoi faqja e lajmeve në internetit “Mashable”.
Më hollësisht, “Twitter” do t’i tregojë përdoruesit, i cili po i përgjigjet një cicërime, se çfarë ka të përbashkët me personin që e shkroi atë cicërimë, për shembull, temat që ndjekin të dy ata.
“Në nxehtësinë e momentit, përdoruesit mund të harrojnë se ekziston një tjetër qenie njerëzore prapa një llogarie në Twitter”, tha për “Mashable” Christine Su, kryemenaxherja për Produktin në Twitter.
“Duke treguar atë që kemi të përbashkët, ne shpresojmë t’u kujtojmë personave atë që na lidh si një pikënisje”, shtoi ajo.
Për Twitter, ky nuk është eksperimenti i vetëm në zhvillim e sipër.
Kompania, gjithashtu, ka nisur testimin e “Spaces”, një eksperiment i vogël që përqendrohet në intimitetin e zërit njerëzor/ANSA.