Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili u largua nga spitali të hënën për t’u trajtuar për infeksionin COVID-19, tha të martën se mezi pret një debat tjetër me kundërshtarin demokrat Joe Biden.
“Unë jam i mirë!”, postoi Trump në Twitter.
“Mezi po pres për debatin të enjten mbrëma, 15 tetor, në Miami. Do të jetë fantastike,” shtoi ai, duke iu referuar një konfrontimi të dytë televiziv me ish-Zv/Presidentin në epokën e Barak Obama-s.
“Presidenti synon të marrë pjesë në debat,” i tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Tim Murtaugh rrjetit Fox News, më pak se një orë pasi Trump u largua nga spitali “Walter Reed” ku u trajtua për COVID pas infektimit, njoftoi agjencia e lajmeve DPA.
Debati i dytë, gjatë të cilit kandidatët u përgjigjen pyetjeve të votuesve, është planifikuar të zhvillohet më 15 tetor në Miami.
Kishte shqetësime se Trump mund të ketë qenë ngjitës në kohën e debatit të parë presidencial me Biden të martën e kaluar, kur ata qëndruan dy metra larg.
Sidoqoftë, Biden është testuar negativ për virusin në disa raste ditët e fundit dhe tha se ai është i gatshëm të marrë pjesë në debatin tjetër nëse ekspertët e shëndetit thonë se është i sigurt.
Nën këtë atmosferë shëndetësoro-politike, Twitter sot fshehu një tjetër cicërimë të diskutueshme të presidentit amerikan, i cili shkroi:
“Sezoni i gripit po vjen! Shumë njerëz, nganjëherë më shumë se 100,000 prej tyre, vdesin nga gripi. A do ta mbyllim vendin tonë? Jo, ne kemi mësuar të jetojmë me të, ashtu si po mësojmë të jetojmë me COVID, i cili është për shumë popullata shumë më pak vdekjeprurës”.