Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se vendi i tij ka zhvilluar programin kombëtar hapësinor, sipas tij, i bazuar në qëllime realiste dhe konkurruese.
Në takimin prezantues të mbajtur të mërkurën në Ankara, Erdogani theksoi se programi kombëtar hapësinor do ta çojë vendin në një nivel më të lartë në garën globale të hapësirës.
“Misioni kryesor dhe më i rëndësishëm i programit është të arrijmë kontaktin e parë me Hënën në 100-vjetorin e Republikës sonë (2023)”, theksoi Erdogan.
Ai shtoi se vendi i tij do të grumbullojë aktivitetet e prodhimit satelitor nën një autoritet të vetëm.
“Nën programin e saj hapësinor kombëtar, Turqia synon të themelojë një sistem rajonal të pozicionimit dhe kohës”, shtoi ai.
Ai po ashtu theksoi se Turqia po planifikon të themelojë një transport hapësinor duke siguruar qasje në hapësirë.
“Një tjetër qëllim i programit është rritja e konkurrencës së vendit në hapësirë, duke investuar në motin e hapësirës dhe në meteorologji”, nënvizoi Erdogan.
Duke theksuar se vendi do të zhvillojë burime njerëzore efektive dhe kompetente në fushën e hapësirës, Erdogani tha se qëllimi përfundimtar është dërgimi i një shtetasi turk në hapësirë me një mision shkencor. atsh