Miliona vetë në SHBA janë në pritje plot ankth për të ardhmen e aplikacionit TikTok që ata e pëdorin përditë për të ndarë video të shkurtra me njeri-tjetrin. Qeveria amerikane, duke nënvizuar shqetësime për sigurinë, ka urdhëruar firmën kineze që zotëron këtë aplikacion, ta shesë deri më 15 shtator, ose ta heqë nga përdorimi në SHBA.
Siç njoftohet, kompania kineze ByteDance që zotëron aplikacionin TikTok, është në bisedime me disa kompani që kanë shprehur interes për ta blerë, përfshirë Microsoft dhe Walmart, të cilat kanë bashkuar forcat. Një tjetër palë e interesuar është kompania Oracle.
Qeveria kineze ka ndryshuar rregulloret për eksporte duke specifikuar cilët elementë teknologjikë të TikTokut mund të blihen dhe duke thënë se programi i preferencave është i përjashtuar. Si rezultat aplikacioni nuk do të ketë më sugjerimin “Për Ju” që i rekomandon përdoruesit cilat video përshtaten me preferencat e tij.
Vëzhguesit thonë se pavarësisht nga rezultati, fati i TikTokut është shembull i përpjekjeve të administratës Trump për të penguar shtrirjen e influencës kineze.
Bie besimi
“Në shkëmbime tregtare, në transaksione që përdorin të dhënat personale, besimi tek pala tjetër është i domosdoshëm,” thotë Scott Kennedy, analist mbi shkëmbimet me Kinën në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare. “Po shtohen shqetësimet për sigurinë e operacioneve përmes platformave dixhitale pikërisht në një kohë kur po bie besimi mes SHBA dhe Kinës”.
Aplikacioni TikTok mund të jetë rasti më i bujshëm në përplasjet mes këtyre dy vendeve, por nuk është i pari.
Në 2018, qeveria amerikane bllokoi blerjen nga një ndër firmat e zotëruara nga gjigandi kinez Alibaba të kompanisë MoneyGram duke ngritur shqetësime për sigurinë. Një vit më pas, SHBA detyroi kompaninë kineze që zotëronte aplikacionin e prezantimeve për takime persale, Grindr, të hiqte dorë nga kompania.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump përmendi shqetësime se TikTok “mund të përdoret për fushata dizinformimi në interes të Partisë Komuniste Kineze,” duke nxjerrë një urdhër ekzekutiv që ndalon transaksione me firmat kineze ByteDance dhe Tencent, zotëruese e aplikacionit të mesazheve, WeChat.
Më pas presidenti nxori një urdhër të dytë ekzekutiv ku thoshte se ByteDance duhet të hiqte dorë nga zotërimet mbi aplikacionin e postimit të videove Musical.ly, që e kishte blerë në 2017.
Vizioni për “Rrjete të Pastra”
Përpjekjet e administratës për të bllokuar teknologjinë kineze duket se janë intensifikuar gjatë muajve të fundit.
Në gusht, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo njoftoi zgjerimin e politikave për “Rrjete të Pastra” që specifikojnë ndër të tjera se aplikacionet e zhvilluara në Kinë nuk duhet të jenë për shitje në SHBA. Synimi është që të “mbrojmë privacinë dhe informacionin sekret të qytetarëve dhe kompanive tona” nga aktorë keqdshës si Partia Komuniste Kineze,” sipas një deklarate për shtyp.
Kompania ByteDance ka mohuar akuzat se do t’i lejojë qeverisë kineze të kontrollojë të dhënat e përdoruesve të aplikacionit, duke thënë se të dhënat e klientëve amerikanë mbahen në SHBA dhe se aparaturat e kompanisë për ruajtjen e të dhënave nuk janë në Kinë.
ByteDance po analizon ofertat nga palët e interesuara. Njoftohet se TikTok ka dalë në treg me çmimin prej 30 miliardë dollarësh.
Palët e interesuara kanë mundësi të ndryshme për të bërë ofertë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, por shitja është ndërlikuar nga njoftimi i fundit i Kinës se algoritmi i rekomandimeve për përdoruesit e TikTokut do të përjashtohet nga shitja.
Ka gjasa që në javët e ardhshme të shfaqet interesim edhe nga kompani të tjera amerikane. Nuk është e qartë nëse bllokimi i njoftuar i TikTokut do të hyjë në fuqi më 15 shtator dhe si do të ndikojë tek përdoruesit aktualë të aplikacionit. Analistët parashikojnë se ka të ngjarë që kompania Apple që shet iPhone dhe Google Play që shet celularët Android të mos e ofrojnë më për shitje këtë aplikacion.