Propozimi sfidues spanjoll që së shpejti do të kthehet në praktikë: Ndriçimi i tuneleve me rrezet e diellit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Tunelet e rrugëve dhe autostradave duhet të jenë të ndriçuara mirë ditën dhe natën për sigurinë e drejtuesve të mjeteve. Por për të shpenzuar më pak dhe për të pasur më shumë tunele të ndriçuara dhe më të sigurta, një grup studiuesish spanjollë kanë zhvilluar një sistem që reflekton dritën e diellit brenda tunelit.

“Duket një paradoks, por ndriçimi i galerive është shumë më i shtrenjtë gjatë ditës sesa natën. Syri i njeriut ka nevojë për shumë më tepër dritë për t’u përshtatur kur futemi në një tunel gjatë ditës. Ndriçimi është veçanërisht i rëndësishëm në 120 metrat e parë: një tunel i projektuar mirë duhet të ketë intensitet shumë të lartë të dritës gjatë ditës, shumë të ulët gjatë natës dhe të ndërmjetëm gjatë ditëve me re. Sa më shumë dritë të ketë jashtë, aq më shumë dritë nevojitet brenda tuneleve dhe aq më i lartë është konsumi i energjisë ,” shpjegon Antonio Peña García, një nga autorët e studimit për revistën spanjolle El Confidencial

Rezultatet e studimit të projektuara para disa vitesh u publikuan në Tunneling and Underground Space Technology. Sipas projektit përfundimtar të tyre, ideja është që të instalojnë një sistem kolektorësh diellorë në hyrje të tunelit, duke i vendosur ato në nivelin e dyshemesë. Këto do të projektojnë dritën drejt gjeometrisë komplekse të tunelit, i cili do të rishpërndante ndriçimin në mënyrë homogjene. Duke e thjeshtuar sa më shumë, është një sistem “pasqyrash” që reflektojnë rrezet e diellit brenda galerisë.

Sfida më e vështirë ishte gjetja e mënyrës se si të kapeshin rrezet e diellit, incidenca e të cilave ndryshon gjatë ditës. Për këtë Peña García ka projektuar një sistem heliostatësh, pasqyra mekanike që ndjekin diellin.

Advertisement

Projekti është gati të kalojë nga teoria në praktikë dhe sistemi mund të aplikohet në tunelet ekzistuese. Kolektorët diellorë duhet të pasqyrohen nga brenda në mënyrë që drita të mos shpërndahet dhe ata duhet të prodhohen me një material që nuk nxehet.

Pamja e tunelit duhet të mbulohet me një material reflektues për shpërndarjen më të mirë të dritës.

Ky sistem nuk do të eliminojë plotësisht dritën artificiale brenda tuneleve. Do të jetë gjithashtu e  nevojshme për arsye sigurie gjatë ditës dhe për shkak të mungesës së dritës së diellit gjatë natës.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy