Njeriut më i pasur në botë, Elon Musk, ka zbuluar se ka në plan të dërgojë njeriun e parë në Mars brenda vitit 2026, 7 vite para objektivit që NASA i ka vënë vetes.
Duke dhënë një intervistë vetëm me zë për aplikacionin “Clubhouse” të dielën, themeluesi i Tesla-s dhe SpaceX zbuloi se synimi i tij përfundimtar është që të krijojë një koloni në planetin e kuq, që të mund të vazhdojë atje qytetërimin e vet.
Afati ambicioz që Musk i ka vënë vetes bën që ai të ketë vetëm pesë vite e gjysmë kohë për të ngritur anijen e tij drejt Marsit, por duket se ka ende shumë punë për të bërë. Momentalisht, koha për të mbërritur në Mars llogaritet të zgjasë 6 muaj, por Musk beson se mund të arrihet brenda 1 muaji, dhe ai pretendon të kryejë udhëtime fikse çdo dy vjet. Ai tha se kolonia e parë do të jetë e vogël, dhe do të duhet të përballet me rreziqe të mëdha teksa përpiqet të ngrejë një sistem autofunksional për prodhimin e ushqimit dhe bimësisë.
NASA planifikon të dërgojë njeriun e parë në Mars brenda vitit 2033, si pjesë e programit “Artemis”. Brenda vitit 2024, NASA synon të ridërgojë astronautë, mes tyre edhe gruan e parë, në Hënë.