Në 60-vjetorin e kompanisë italiane Lamborghini, 382 supermakina të kësaj marke janë bërë bashkë për një paradë me vlerë totale 50 milionë paunde në pistën e Formula 1 në Silverstone të Anglisë.
Pamja ishte spektakolare, ndërsa supermakinat lëvizën me shpejtësi të ulët në pistë pasi në rast aksidenti dëmi do të ishte kolosal.
I pranishëm në këtë organizim ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë, Stephan Winkelmann. “Mbretëria e Bashkuar vijon të mbetet një nga tregjet tona më të mira në të gjithë botën”, tha Winkelmann.
Përveç ekspozimit të qindra makinave luksoze, në këtë event u prezantua edhe makina më e re e Lamborghini Revuelto, e cila është makina e parë hibride e kompanisë italiane. Ky model hibrid ka marrë emërtimin “Revuelto”, që në spanjisht përkthehet “e përzier”, që sipas drejtuesve të kompanisë është zëvendësimi i kompanisë së supermakinave për flamurin afatgjatë “Aventador”.