Hëna po kthehet gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së agjencive hapësinore në të gjithë botën. Ndërsa NASA vazhdon afrimin e saj drejt misionit Artemis II, agjencia ruse po përpiqet të dërgojë një rover në sipërfaqen e Hënës pothuajse 50 vjet pas uljes së fundit sovjetike në Hënë dhe gjithashtu në këto ditë agjencia hapësinore indiane po planifikon të “pushtojë” tokën hënore me sondën e saj Chandrayaan 3.
Ndër objektivat e eksplorimit hënor ka qenë gjithmonë studimi i brendësisë së satelitit tonë. Dhe njohja më e mirë e strukturës së brendshme të Hënës është një qëllim i misioneve të ardhshme, të cilat do të na lejojnë të kuptojmë se si Hëna ka evoluar me kalimin e kohës.
Një sërë misionesh kanë hartuar disa zona të nëntokës hënore, megjithatë asnjë nuk ka shkuar në thellësi, ku mund të ketë shpella të mëdha të prodhuara nga rrjedha e lavës ose depozitime akulli, apo minerale potencialisht të dobishme.
Por tani mund të jemi në një pikë kthese, sepse Instituti i NASA-s për Konceptet e Avancuara (NIAC) ka siguruar fonde për një teknologji të re të zhvilluar nga një grup studiuesish në Laboratorin e Lëvizjes Jet të NASA-s (JPL), e cila mund të revolucionarizojë mënyrën se si duhet studiuar çfarë është brenda Hënës.
Projekti, i quajtur Passively Expanding Dipole Array for Lunar Sounding (ose PEDALS), ka zhvilluar një teknikë vetë-vendosjeje që mund të vendosë një antenë të madhe në sipërfaqen hënore.
Antena e madhe, e mbyllur fillimisht në vetvete, do të ulet në Hënë duke përdorur një airbag, një tullumbace e madhe që do të mbrojë instrumentin brenda. Kur të zbresë në sipërfaqen hënore, do të vendosë një sërë krahësh të mbledhur, një teknologji që tashmë ka qenë fokusi i disa viteve të kërkimit të NASA-s.
Pasi krahët e saj të shtrihen, antena do të dërgojë sinjale radar nën tokë, të cilat mund të arrijnë thellësi të ndryshme. Sinjalet e reflektuara nga shtresat që përbëjnë koren dhe mantelin hënor do të kthehen në krahët e vetë antenës dhe më pas do të dërgohen në Tokë.
Aktualisht të dhënat më të thella janë mbledhur nga Lunar Radar Sounder, një instrument i vendosur në sondën japoneze SELENE (i njohur si Kayuga). Ky i fundit ka punuar midis viteve 2007 dhe 2009, por, megjithëse mundi të monitoronte sinjalet e radarit të aftë për të depërtuar deri në 5 kilometra në thellësi, nuk dha rezultate dhe imazhe me rezolucion të lartë të strukturës së brendshme të Hënës.
Sondazhe të tjera, disa prej të cilave datojnë që nga misionet Apollo, kishin rezolucion të mirë, por u fokusuan kryesisht në pjesën më të cekët të satelitit.
Sipas ekipit të JPL, projekti PEDALS ka pesë qëllime shkencore, duke filluar nga harta tredimensionale e vullkaneve deri te të kuptuarit e densitetit të shkëmbinjve në zona të veçanta.
Disa aspekte teknologjike mbeten për t’u përcaktuar, përveç zgjedhjes se cila është zona më e mirë për të vendosur këtë antenë, por faza e parë e studimeve tashmë është kryer dhe projekti PEDALS pret financimin për fazën e dytë, e cila përfshin ndërtimin e modeleve të përshtatshme, përpara se të realizohet ekzemplari përfundimtar që do të transportohet në Hënë.