
Si Gjermania ashtu edhe Irlanda i kanë prezantuar me bujë të madhe sukseset e tyre në futjen në përdorim të aplikacioneve për gjurmimin e kontakteve.
Mirëpo a ekziston ndonjë dëshmi se ato janë duke e kryer punën, për të cilën janë destinuar – të paralajmërojnë njerëzit se mund të infektohen me koronavirusin e ri?
Ende jo dhe mënyra e dizajnimit të tyre për t’i kushtuar rëndësi të madhe privatësisë mund të nënkuptojë se ne kurrë mund të mos e kuptojmë se sa efikas mund të jenë ata në realitet, raporton BBC, transmeton KOHA.
Muajin e shkuar Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se po heq dorë nga aplikacioni i saj i gjurmimit të kontakteve në Angli, i përqendruar te Shërbimet Kombëtare Spitalore, dhe ka kaluar në një version të decentralizuar, të bazuar në pajisjet e “Apple”-“Google”. Ky model është favorizuar nga mbrojtësit e privatësisë, për shkak se procesi i përputhjes ndodh në telefonat e mençur të përdoruesve në vend se në një kompjuter qendror, duke ofruar nivel më të lartë anonimiteti.