Komisioni Europian nisi të mërkurën një hetim, përfundimet e të cilit do të përcaktojnë nëse do të vendosen tarifa për të mbrojtur Bashkimin Europian ndaj importeve të makinave elektrike kineze, të cilat përfitojnë nga subvencionet e shtetit.
“Tregjet botërore mbyten me makina elektrike më të lira. Dhe çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët, nga subvencionet e mëdha shtetërore”, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Europian. “Europa është e gatshme për konkurrencë, jo për të bërë garë kush do të dalë i fundit”.
Kompanitë europiane të makinave kanë kuptuar se duhet të luftojnë për të prodhuar mjete elektrike me kosto më të ulëta dhe të fshijnë epërsinë e Kinës në ndërtimin e makinave më të lira dhe më të dashura për konsumatorët.
Kompanitë kineze po luftojnë fort për të zgjeruar tregun jashtë kufijve të tyre, për shkak se konkurrenca e brendshme është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Duke cituar të dhënat e Shoqatës Kineze të Makinave Private, Reuters raporton se në gusht, eksportet kineze të makinave u rritën me 31%, ndërsa në korrik rritja ishte 63%.
Sipas Inovev, një kompani konsulence në fushën e makinave, 8% e mjeteve elektrike të shitura në Europë këtë vit ishin marka kineze. Një vit më parë, kjo shifër ishte 6%, ndërsa në vitin 2021 vetëm 4%.
Njoftimi i Von der Leyen bëri që aksionet e kompanive kineze në bursën e Hong Kongut të pësojnë rënie. Lëvizja proteksioniste e unionit nuk ishte një surprizë për kinezët, pasi disa prej prodhuesve e kishin parashikuar këtë.
Në prill, CEO e NIO, tha se kompania e tij dhe të tjera në fushën e prodhimit të mjeteve elektrike, kishin një epërsi prej rreth 20% ndaj rivalëve si Tesla, falë kontrollit të Kinës mbi lëndët e para dhe zinxhirin e furnizimit.