Krahë robotikë që lëvizin krejt njëherësh.
Janë këta modelet më të fundit të pajisjeve robotike, zhvilluar nga ekspertët e teknologjisë në Universitetin Teknik të Dresdenit në Gjermani.
E veçanta e tyre është se janë programuar asisoj që kur njëri prej tyre ta bëjë një lëvizje të caktuar, të gjithë të tjerët e pasojnë.
Zhvillimi i tyre është pjesë e përpjekjeve për të krijuar makineri që mund të angazhohen për punë në fusha të ndryshme.
Por synimi është që këta krahë robotikë t’u shërbejnë pikërisht shtresave më të cenuara të shoqërisë.
“Mund të asistojnë të moshuarit. Një krah robotik mund të ndihmojë në shumë mënyra, mund të përdoren në mjekësi, me ç’rast një mjek mund ta kontrollojë pajisjen nga distanca për të kryer operacione që kërkojnë precizitet. Por mund të përdoren edhe në hapësirë”, ka shpjeguar hulumtuesja Merve Sefunç.
Ndihmësit robotikë kanë filluar të përdoren në shumë sfera të jetës gjatë kohëve të fundit. Por, pandemia e koronavirusit ka shtuar dukshëm kërkesën për ta, sidomos duke e pasur parasysh domosdoshmërinë e respektimit të distancës fizike dhe shmangies së kontakteve të afërta mes njerëzve.