“Facebook” ka fshirë një tjetër postim të presidentit amerikan Donald Trump. Në këtë postim, Trump pretendonte se Covid-19 ishte “më pak vdekjeprurës” se gripi.
Presidenti amerikan aktualisht ndodhet në Shtëpinë e Bardhë pas tre ditësh trajtimi që kaloi në spital pasi ishte testuar pozitiv për virusin.
Trump shkroi se SHBA-të ishin “mësuar të jetonin me sezonin e gripit, ashtu si po mësojmë të jetojmë tani me Covidin, në shumicën e popullatave shumë më pak vdekjeprurëse!!!”
Twitter e fshehu të njëjtin mesazh me paralajmërimin se “përhap informacion të rremë dhe potencialisht të dëmshëm”.
Përdoruesit duhet të klikojnë paralajmërimin e “Twitter”-it për të lexuar postimin. Por këtu postimi të paktën mbetet, ndryshe nga Facebook.
“Ne heqim informacione të pasakta në lidhje me ashpërsinë e Covid-19 dhe tani e kemi hequr këtë postim”- tha Andy Stone, menaxher i komunikimit të politikave në Facebook.
Ende nuk dihet një normë e saktë e vdekshmërisë për Covid-19, por sipas Universitetit Johns Hopkins mendohet të jetë dukshëm më e lartë sesa shumica e llojeve të gripit.
Pasi i fshinë postimin, Trump ka reaguar duke shkruar: “SHPEJT SEKSIONI 230 !!!”
Ai i referohet këtu një ligji që thotë se rrjetet sociale nuk janë përgjegjëse për përmbajtjen e postuar nga përdoruesit e tyre. Por kjo i lejon të bllokojnë një përmbajtje që ata e gjykojnë të jetë fyese, ngacmim ose të dhunshme.
Nëse ligji do të shfuqizohej, kompanitë e mediave sociale do të përballeshin duke u paditur për redaktimet dhe ndryshimet e përmbajtjes së përdoruesve që ata bëjnë.