Harley-Davidson, kompania ikonë e motoçikletave të fuqishme për aventura me dy rrota, ka vendosur të krijojë një biçikletë elektrike, me synimin për t’u lidhur më shumë me të rinjtë dhe për të zgjeruar tregun.
Serial 1, është kompania bijë e Harley-t që do të prodhojë biçikletën elektrike që pritet të dalë në shitje në gjysmën e parë të vitit 2021. Në fakt, Harley Davidson nuk do të jetë aksioneri kryesor në këtë kompani, por emrat e investitorëve nuk janë bërë publik.
Më parë, kompania ka prodhuar edhe një motor elektrik, të quajtur Livewire, për të tërhequr më tepër klientë të rinj, por me emrin Harley do të vijojnë të prodhohen motorë tradicionalë, që e kanë shndërruar emrin e kompanisë në një markë botërore.
Këtë verë, Harley Davidson deklaroi se do të largonte nga puna rreth 700 punonjës, për shkak se shitjet kishin rënë ndjeshëm gjatë pandemisë së koronavirusit. Edhe para pandemisë, kompania ka hasur vështirësi, pasi shitjet kanë rënë ndjeshëm në gjashtë vitet e fundit.
dEmri i kompanisë, Serial 1, vjen nga motori i parë i prodhuar nga Harley, “Serial Number One”, i ndërtuar në fillim të viteve 1900. Biçikleta nuk do të ketë komandën e gazit në dorezë, por vetëm pedale, për të shkuar në një shpejtësi 32 deri në 45 km/h.