Brenda dy dekadave të ardhshme, ekspertët mendojnë se kompjuterët kuantikë do të zëvendësojnë kompjuterët “klasikë”, ata që ne përdorim sot, dhe që do të ndryshojnë totalisht jetën tonë.
Duke përdorur elementë nga fizika kuantike, ata do të jenë në gjendje të ndërtojnë këto kompjuterë, të cilët mund të arrijnë t’i japin shpjegim ndryshimeve klimatike, madje mund të zbulojë edhe ilaçe të reja.
Ndërkohë, Google pretendon se ka arritur të ndërtojë një kompjuter të tillë që tani. Sipas tyre, ky kompjuter është i aftë të bëjë llogaritje që kompjuterëve aktualë do t’i duheshin 47 vjet.
Gjithsesi, ky pretendim ngre hije të forta dyshimi, pasi edhe në vitin 2019, gjiganti i teknologjisë e pretendoi një gjë të tillë, ndërsa kjo gjë u hodh poshtë më pas nga rivalet e tij.
Rivali i Google, IBM, tha në atë kohë se kompjuteri kuantik “Sycamore” i Google nuk kishte funksion të plotë dhe mund të kryente vetëm disa veprime, të cilat mund të bëhen edhe me kompjuterët klasikë, edhe pse më ngadalë.
Aktualisht, një punë e ngjashme po bëhet edhe nga Universiteti i Sussex-it në Mbretërinë e Bashkuar, i mbështetur nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Megjithatë, realizimi i një kompjuteri kuantik të cilin mund ta blejnë të gjithë mund të dojë rreth dy dekada. Realizimet e fundit mbeten ende në fazë eksperimentale.
Kompjuterët kuantikë mund të shkatërrojnë sistemet e bankave me shtypjen e një butoni
Andersen Cheng, Themelues dhe Kryetar Ekzekutiv i Post-Quantum, paralajmëron se kompjuterët kuantikë mund të përdoren për sulme shkatërruese ndaj rrjeteve të energjisë apo sistemit bankar global. Studiuesit janë shprehur se kompjuterët kuantikë, shumë herë më të shpejtë nga ato që përdorim ne sot, mund të thyejnë me lehtësinë më të madhe sistemet mbrojtëse. Kjo lloj teknologjie është tashmë në zhvillim.
“Kompjuterët kuantikë do të jenë miliona herë më të shpejtë se “kompjuterët klasikë”, falë faktit që ata përdorin “qubits”. Ky përmirësim i jashtëzakonshëm do të thotë se ne duhet të jemi gati për këtë përpara se kjo të ndodhë, pasi do të ishte shumë vonë. Po zhvillohet një garë e fshehtë kuantike armësh, për të cilën ne nuk kemi shumë informacion”, tha Cheng.