San Francisko, 26 gusht – Gjiganti i teknologjisë “Facebook” njoftoi sot përshpejtimin e zgjerimit ndërkombëtar të sektorit të tij të lajmeve, në gjashtë muajt e ardhshëm, duke filluar në veçanti me Brazilin, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Indinë dhe duke premtuar se do të paguajë edhe botuesit.
“Në secilin vend, ne do të paguajmë për postimet, për t’u siguruar se përmbajtja e tyre është e disponueshme në seksionin e ri”, tha Campbell Brown, përgjegjëse për Partneritetin Ndërkombëtar, në një deklaratë.
“Ne do të vazhdojmë të hartojmë produkte të reja dhe të bëjmë investime në të gjithë botën për të ndihmuar shtypin të ndërtojë modele të qëndrueshme biznesi me kalimin e kohës”, shtoi ajo.
“Facebook News” u instalua në aplikacionin celular të rrjetit social në SHBA pas një faze provë, që nisi në fund të vitit 2019.
Seksioni ofron një përzgjedhje të artikujve nga gazetat ditore, revistat dhe faqet e partnerëve dhe mundësohet nga një ekip gazetarësh dhe algoritme personalizimi.
Shumë botime kanë krijuar abonime të paguara për të hyrë në artikuj dhe video, por ato varen kryesisht nga lidhjet në platforma, për të ridrejtuar përdoruesit në faqet e tyre të internetit dhe aplikacionet celulare/ATSH – AFP.