Lufta në Ukrainë ka provokuar masa absurde dhe që priren të provokojnë ndarje afatgjata në një botë që presupozohej se ishte e ndërlidhur.
Së fundmi, Meta, konglomerati që drejton Facebook dhe Instagram, ka lejuar thirrjet për dhunë dhe vdekjen e ushtarëve rusë të inkuadruar në njësitë që luftojnë në Ukrainë, duke provuar kështu se deri ku mund të shkojë radikalizimi i atij që pretendon se është sistemi i demokracive liberale.
“Kompania po lejon përkohësisht disa pastime që bëjnë thirrje për vdekjen e presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko”, shkruan “The Guardian” që referon e-mail të brendshme të moderatorëve të rrjetit.
Vetë “Meta” ka pranuar ndryshimin e rregullave duke lejuar qarkullim të tillë të postimeve në fjalë edhe në Armeni, Azerbajxhan, Estoni, Gjeorgji, Hungari, Letoni, Lituani, Poloni, Rumani, Rusia, Sllovaki dhe në Ukrainë. Lidhur me këtë vendim ambasada ruse në SHBA ka reaguar duke e cilësuar politikën e Facebook si kriminale.
“Ne i kërkojmë autoriteteve amerikane të ndalin aktivitetet ekstremiste të “Meta” dhe të marrin masa për procedimin e tyre nga drejtësia. Përdoruesit e Facebook dhe Instagram nuk u kanë dhënë poseduesve të platformave të internetit të drejtën për të përcaktuar kriteret e të vërtetës dhe të ndërsejnë kombet kundër njëri-tjetrit”, shprehet ambasada.