Sulmet kibernetike të vitit të shkuar dhe kalimi i thuajse të gjitha shërbimeve publike në E-Albania ka nxitur si kurrë më parë nevojën për siguri kibernetike.
Për dy ditë me radhë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua edicioni i dytë i cikleve të workshopeve dhe konferencës BSides Tirana, një organizim që u dedikohet profesionistëve të industrisë në fushën e sigurisë kibernetike.
“Ndryshe nga viti i shkuar, këtë vit kemi bërë një konferencë 2-ditore. Ditën e parë kemi organizuar workshop dhe CTF që janë trajnime falas për pjesëmarrësit. Dita e dytë u organizua përmes konferencës. Qëllimi është të bëjmë bashkë gjithë të interesuarit mbi sigurinë kibernetike. Kemi pasur folës shqiptarë dhe të huaj,” u shpreh Rio Sherri, organizator i “BSides Tirana”.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa i cili njoftoi edhe ngritjen së afërmi të Akademisë Kibernetike Kombëtare.
“AKCES ka një plan të qartë për të krijuar një qendër të Akademisë Kibernetike Kombëtare e cila do të injektonte implementimin dhe përmirësimin e mendjes së sigurisë kibernetike dhe thithjen e profesionistëve që do të ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike.”
Martin Lutz dhe Majo Micovic, dy ekspertë të sigurisë kibernetike në rrafshin ndërkombëtar dhanë edhe këshillat e tyre për qytetarët, bizneset dhe institucionet.
“Sulmet “fishing” janë edhe ato më të përhapurat. Duhet pasur shumë kujdes. Kjo pasi janë pika e parë e kontaktit mes pajisjes dhe internetit. Kujdes duhet të kenë veçanërisht qytetarët, por edhe sipërmarrjet.”
“Siguria kibernetike nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Sado të investohet sërish gjenden hapësira nga hakerat për të sulmuar. Ajo që vjen është “zero besim dhe investime në softwere.”
Ngjarja dy ditore e pagëzuar si “Bsides Tirana” vjen si formë për të frymëzuar audiencat me interes në sigurinë kibernetike dhe shërben si një urë lidhëse mes profesionistëve të sigurisë dhe komunitetit të teknologjisë.