Një super veturë elektrike me një çmim prej tre milion eurosh dhe që për 1,69 sekonda arrin në 100 km/h, janë vetëm tre nga numrat që përfaqësojnë më së miri ”Aspark Owl”, një hiper makinë japoneze e kompanisë ”Aspark”, me qendër në Osaka, ndërtimi i së cilës iu besua kompanisë italiane ”Manifattura Automobili Torino”.
Makina do të prodhohet në 50 njësi, 20 prej të cilave të destinuara për në Europë dhe pjesa tjetër e projektuar kryesisht për tregun amerikan.
Kjo makinë është duke u shijuar në sallën e ekspozitës së kompanisë të ngritur në Osaka.
Performanca e makinës është pothuajse një trill shkencor duke filluar nga furnizimi me energji te një magnet i përhershëm për të krijuar një makinë elektrike me të gjitha rrotat me 1 958 kuaj fuqi.
Nga ana tjetër, bateria 64 kwh, do t’i garantojë makinës një distancë prej 450 kilometrash.
Ndër përbërësit kryesorë të ”recetës” së ”Aspark Owl”, sigurisht që janë fibrat e karbonit, të përdorura për ndërtimin e të gjithë shasisë dhe për panelet e trupit, në mënyrë që të mbahet pesha e makinës e ulët, prej 1 900 kilogramësh.
Lartësia është vetëm 99 centimetra, e kombinuar me një studim të sofistikuar aerodinamik të dominuar nga krahu automatik i pasmë, i cili duhet të garantojë cilësi dinamike në lartësinë e një makine të Formula 1, gjithashtu në sajë të menaxhimit elektronik të katër motorëve elektrikë.