
*Salla sportive “Niko Nestor” në Strugë së shpejti do të mbyllet me çelës! Objekti që përdoret nga nxënësit e SHMK “Niko Nestor”, si dhe nga disa klube sportive të Strugës, përfshirë edhe ato të hendbollit, prej vitesh rrjedh sa herë që bie shi dhe uji futet në fushë duke e dëmtuar atë.
Kjo sallë është mbi 30 vjet e vjetër dhe asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë ndërhyrje më e madhe për riparim apo rinovim, ndaj pas vendimit të autoriteteve për të kontrolluar të gjitha objektet në shtet, përfshirë edhe ato sportive, është konstatuar se salla në Strugë do të mbyllet për të parandaluar ndonjë incident të padëshiruar.
Përveç fushës, në gjendje të keqe janë edhe zhveshtoret, ndërsa Bashkimi i Sporteve Komunale në Strugë, që ka në menaxhim sallën, ekziston vetëm në letër. Për këtë arsye është vështirësuar procesi i sanimit të çatisë, kanalizimit, instalimeve, reflektorëve…
Klubi i meshkujve, në vazhdimin e sezonit, ndeshjet si vendas kundër Prilepit, Proletit, Radovishit dhe Borecit FL, do t’i zhvillojë në sallën “Timi”. Përveç ekipit të parë, edhe pionierët dhe kadetët do t’i zhvillojnë aty ndeshjet e tyre.
Gjithashtu, një zgjidhje të re për ndeshjet si vendas në të gjitha kategoritë do të duhet të gjejë edhe ekipi femëror “Struzhanka”.