Prof. Dr. Nebi Dervishi
Përkujtes
(me rastin e 65 vjetorit të vdekjes)
AVDULLA RUSHIT RUSHITI
(Reth 1881-1959 Struga, Gojdrini)
Prej kohësh e kamë bërë objekt studimi atdhetarin e madh struganë “të harruar” apo të “mohuar”, Abdulla Rushitin, i njohur me mbiemrat: Gojëdrini apo Struga.
Pas shumë hulumtimeve arrita në përfundim se Abdulla Struga, i takon atij brezi fatlumësh që kontribuan shumë në të gjitha ngjarjet kombëtare para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarsisë më 28 Nëntor 1912, si dhe për bashkimin e trevave etnike shqiptare në një njësi autonome. Ai ka qenë pjesmarrës me pushkë në dorë tokë me shumë atdhetarë të tjerë që luftuan në dy fronte kundër hordhive e tiranisë osmane që tani po perëndonte dhe falangave grabiqare të fqinjëve ballkanik, që i okupuan trevat etnike shqiptare në Luftën e Parë Ballkanike 1912-1913.
Dihet mirëfilli që gjatë rrugës historike të popullit shqiptar, shumë ngjarje të rëndësishme historike, shumë figura ngelwn të pastudjuara apo të harruara thellësisht. Ideologjia moniste ekstreme e së kaluarës kishte diktuar që si ngjarjet e veçanta ashtu edhe një sërë figura atdhetare të mbetëshin nën mjegullnajat dhe pluhurin e harresës. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, sepse, një populli që i mohohet historia, ai asgjasohet forcërisht, kurse një popull që fle dhe harron hsitorinë e tij, ai dalëngadalë asgjesohet paqësisht ose në fund të fundit i përsëritet historia.
Për kompletimin e figurës atdhetare të Abdulla Rushitit – Strugës (Gojëdrinasit), një ndihmesë të madhe më kanë dhënë: profesor Mojsi Muria – nga Peshkopia, Dr. Lutfi Turkeshi, (indjerë), Rushit Rushiti nga Struga (i nipi i Avdullait) e në veçanti historian i shquar Dr. Ali Vishko, i cili ndërroi jetë në korrik të 2009, që e ka njohur për së afërmi figurën dhe familjen e Abdulla Rushitit. Ai nuk i përket vetëm intelektualëve e atëdhetarëve shqiptare por asaj aradhe njerëzish të mëdhenj që nuk jetojnë për vete, por për të tjerët, dhe për këtë fisnikëri janë të shpërblyer prej kujtimit të përjetshëm.
Abdulla Rushiti lindi në Strugë rreth vitit 1881, në lagjen e atëhershme “Hotishtë”. Ishte i biri i Rushitit të Parë, i cili së bashku me Mehmet Reshit Beun përfaqësonin Ohrin e Strugën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 10 Qershor 1878. Ky i fundit zgjidhet edhe anëtar i Këshillit Qendror të Lidhjes.
Në Strugë, Abdulla Rushiti e kaloi fëmijërinë, i kreu mësimet fillore në Mejtepin e qytetit, u formua në mjedisin familjar e qytetar dhe u brumos me dashurinë për vendlindjen dhe për atdheun.
Në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIX, ku lindi dhe u rrit Avdulla Rushiti Struga, ishte kthyer tanimë në një qendër e rëndësishme qytetare, e tërhequr jo vetëm në jetën ekonomike të trevave lindore shqiptare por edhe në ngjarjet politike e kulturore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sepse këtu ishin vendosur dhe vepronin disa familje të shquara, si: e Murat Sojliut (Bakallit) Dr. Murteza Ali Strugës, e Beqir Agë Bautës, etj. Gjithë kjo atmosferë e qytetit të lindjes do të linte mbresa tek Avdulla i ri. Edhe pse u shkëput shumë shpejt nga vendlindja dhe shkoi së bashku me babanë Rushitin në Stamboll, ku kreu shkollimin e mesëm, ai nuk do ta harronte kurrë kasabanë e Strugës, siç e kishte zakon ta quante vendlindjen.
Ndikim vendimtar në formimin e tij, si atdhetar dhe intelektualë revolucionar ushtruan idetë e mëdha të rilindasve të shquar shqiptar që jetonin e vepronin në kryeqendrën e Perandorisë, në Stamboll, si Dervish Hima, Amdi Bej Ohri, Naim e Sami Frashëri, Dr. Ibrahim Temo, etj. Por, ndër faktorët kryesorë që e shtyne Avdulla Rushitin drejt veprimtarisë atdhetare, ishin: gjendja e rëndë e Shqipërisë nën regjimin apsolutisht të sulltanit, mungesa e të drejtave kombëtare dhe politike-kulturore për shqiptarët, si dhe rreziku që i kanosej ekzistencës së kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij. U largua nga Struga në moshë të re për t’u shkolluar, por i mëkuar, tanimë me një dashuri të zjarrtë për Shqipërinë, të cilën nuk arritën ta zbehin as madhështia e kryeqytetit të Perandorisë Stambolli, as vitet që kaloi largë vendlindjes. Lidhjet e vazhdueshme me Strugën dhe me familjen e tij, qëndrimi atje gjatë pushimeve verore dhe takimi me bashkëvendasit, bënë që në mendjen dhe në zemrën e tij të mbeten gjithnjë të freskëta vuajtjet e popullit shqiptar, aspiratat e tij për liri dhe pavarsi, për të hyrë në rrugën e përparimit ekonomik dhe kulturor. Dëshira për ta parë atdheun e lirë nga çdo zgjedhë e huaj, për ta shpëtuar nga copëtimi që i kanosej për shkak të politikave shoveniste të monarkive fqinje, për t’i parë shqiptarët dhe trojet e tyre të bashkuara në një shtet të vetëm kombëtar, u kthyen në mendjen e Avdulla Rushitit të ri, në një ëndërr, në një aspiratë së cilës do t’i kushtojë gjithë jetën e tij. Pra, erëra të moçme e të reja, erërat e përpjekjeve të parreshtuara dhe të luftës së shqiptarëve për liri e pavarsi i vinin Avdullait të ri nga të gjitha anët. Vinin nga Stambolli, Manastiri, Ohri, Korça, erërat e përpjekjeve të pemës dhe erërat e barotit nga malet e gjithë Shqipërisë. Po këto erëra frynin edhe në vatrën e Rushitëve, një nga familjet me tabonë kombëtar, e dëgjuar për shqiptarizmin e saj, e që për shmë breza jetonte në Strugë.
Në një bisedë rasti me z. Rushit nga Struga, një pinjoll (nip) i Avdulla Rushitit, zhvilluar më 04.II.2012, mora këto të dhëna: Babai i Avdulla Rushitit quhej Rushit dhe ka pasur tri djemë: 1. Avdullai (1881-1959)- nuk ka lwnë trashëgimtar, është martuar me një austriake me emrin Elsa.; 2. Xheladini (1870-1919), gjyshi i Rushitit të Ri (të intrvistuar) dhe 3. Musa (që ka lënë Qemalin (i emigruar në Turqi dhe s’ka lënë trashëgimtar) dhe Lalen – e martuar në Dibrën, Avdulla quhet bashkorti).
Tek Avdulla Rushiti –Struga mplekseshin në një të vetme mendimi atdhetar dhe demokratik me veprimin revolucionar. U vu në përkrahje të qëndresës kundër osmane të viteve 1903-1904, të themelimit të “komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, nëntor 1905, në Manastir dhe të luftës së armatosur të çetave që u organizuan nën drejtimin e tyre. Duke iu referuar Sejfi Vlamasit, në “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942) , pas themelimit të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, 1905, anëtarë i Komitetit Qendror të tij përveç atdhetarëve të shquar, si: Halit Bej Bërzeshtës, Fehim bej Zavalanit, Gjergj Qirijazit, Bajram (Bajo) Topullit, Sejfi Vlamasit, Nuçi Naçit, Toger Nazif Ohrit, Sulejman Starovës, Idriz Gjakovës, Hystref bej Starovës, Hysen bej Deshnicës, Jashar Hajri Bitinçkës…, ka qenë edhe Avdulla Rushitit- Struga, i cili pa humbur kohë themeloi, kuptohet në mënyrë konspirative nënkomitetet e Komitetit të Fshehtë të Manastirit, në Ohër Strugë, Dibër, etj, si dhe çetat e armatosura që vepronin në këto rajone.
Populli shqiptar e priti me gëzim të madh shpalljen e Kushteturës (Hyrjetit), 23 korrik 1908, sepse shpresonin se do t’i siguronin liritë politike dhe barazia që i ishin premtuar. Patriotët shqiptarë, pa hequr dorë nga synimet politike, shfrytëzuan me mjeshtri e shkathtësi liritë e kufizuara dhe mundësit legale që krijoheshin me shpalljen e Kushtetutës, duke formuar klube në shumicën e qyteteve shqiptare, të cilat kujdeseshin për çeljen dhe mbajtjen e shkollave shqipe, për botimin dhe shpërndarjen e gazetave dhe të librave në gjuhën shqipe, etj. Në nëntor-dhjetor të 1908 edhe në Strgë u formua Klubi “Bashkimi” ku veprimtarët e saj më të spikatur ishin Avdulla Rushiti së bashku me Nuri Sojliun, Murat Bakallin, Beqir Aga (Bauta), etj. Pranë Klubit “Bashkimi”, në Strugë, u hap edhe shkolla e parë në gjuhën shqipe.
Avdulla Rushitit – Gojëdrinasi do të mbështesë matrialisht dhe me logjistikë Kongresin e Parë të Alfabetit në Manastir, ndërsa në Kongresi e Dibrës (23-28 korrik 1909) mbështeti rrymën atdhetare të Dervish Himës tw cilwt ishin mbrojtës të alfabetit latinë, dhe kundër rrymës që mbronin me fanatizëm alfabetin arab.
Në fund të muajit maj të vitit 1909, vetëm në Strugë, Ohër e Pogradec u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, të cilët u akuzuan për propagandë reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishte edhe Avdulla Rushiti, njëri nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në trevën e Ohrit së bashku me Amdi bej Ohrin, etj. Klubet shqiptare protestuan kundër këtyre veprimeve të dhunshme, derisa i detyruan xhonturqit që t’i shpallin të pafajshëm dhe t’i lironin këto atdhetarë.
Në Kongresin e Elbasanit, 2 shtator 1909, që u thirrë me nismën e Klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa klubet “Bashkimi dhe Vllaznia” të Elbasanit, të cilët u shpërndanë ftesa klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këtë Kongres marrin pjesë 35 delegat, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, mësues e atdhetarë, si Mit’hat Frashëri, Orhan Pojani, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sevasti e Gjergj Qiriazi, Amdi Bej Ohri, Irfan Bej Ohri, Andrea Konomi, Grigor Cilka, Don Nikolla Kaçori, Simon Shuteriqi, Dhimitraq Budo, Luigj Gurakuqi, si dhe Abdulla Rushitit- Struga, që përfaqësonte klubin “Bashkimi dhe qytetin e Strugës. Në këtë Kongres kombëtar, të cilët sikur ishte parashikuar në Kongres shqyrtuan çështjen themelore: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për to: krijimi i një qendre të vetme për drejtim, për organizim dhe financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare, etj. Një kontribut të madh në Kongresin e Elbasanit dhe në hapjen e Normales padyshim se do ta jep edhe Avdulla Rushiti, jo vetëm me prezencën si pjesmarrës, por edhe në punën e kongresit.
Avdulla Rushiti –Gojëdrinasi do të jetë përfaqësues dhe i deleguar I Klubit “Bashkimi” të Strugës, në Kongresin e Dytë të Manastirit (1-3prill 1910), që u thirrë me nismën e Klubit “Bashkimi”, të Manastirit. Është një mbledhje mbarëshqiptare për mbrotjen e shkollës dhe të shkrimit shqip kundër reaksionit xhonturk, për përparimin kulturor të Shqipërisë dhe për organizimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Kongresi i Dytë i Manastirit, ku fjalën kryesore e pati Dervish Hima, miratoi programin prej 10 pikash, ku kërkohej liri e mësimit të gjuhës shqipe, heqja e të gjitha pengesave që qeveria nxirrte për përhapjen e shkollave shqipe, çelja në Shkup e një shkole normale, etj. Pra, ky Kongres ishte edhe një manifestim i rëndësishëm që i dha hovë të mëtejshëm Lëvizjes Kombëtare shqiptare, që trasojë rrugën drejt shpalljes së Pavarsisë më 28 Nëntor 1912, ku edhe kontributi i Avdulla Rushitit është i padiskutueshëm.
Për Avdulla Rushitin dhe bashkëveprimtarët e tij në këto anë (Hamdi Bej Ohri, Dervish Hima, Murat Sojlu, etj.) tanimë ishte e qartë se dobësimi i Perandorisë Osmane dhe largimi i saj prej trevave shqiptare, në fillim të vitit 1912 ishte në prag dhe i pashmangshëm,.
Edhe në Nahinë e Strugës në fillim të vitit 1912 gjendja ishte tepër e rëndë. Në krye të çetave të këtyre viseve ishin venduar disa atdhetarë të shquar si: Irfan Bej Ohri, Hamdi Bej Ohri, Mehmet Beut (kryetar i komitetit shqiptar në Ohër), Beqir Aga (Bauta), Murat Sojliu dhe Avdulla Rushitit – Strugës, çeta e të cilit kishte vite që fliste me gojën e armëve.
Gazeta “Liria e Shqipërisë” e 11 gushtit 1912, që dilte në Sofje shkruante: “Me gëzim të madh lajmërojmë që para disa ditësh kryengritësit strugan dualën në mal, të cilët kërkojnë të gjithë ata të drejta që kërkojnë vëllezërit tonë të Kosovës. Kryengritësit janë: Dalip Aga, Beqir Aga, Avdulla Efendiu (Struga) Abdulrahman Sojliu, Ismail Hakiu, Aqif Menkoni, etj”.
Pas disfatës së ushtrisë osmane në Luftën e Parë Ballkanike, dhe pa I ftohur akoma armët që kishin luftuar ndër vite kundër turqve, çeta e Avdulla Gojdrinit dhe prisi i saj, i kthyen kundër ushtrisë serbe, e cila nën pretekstin e dëbimit të turkut nga Ballkani, sulmuan dhe pushtuan viset shqiptare etnike, ndërsa çetat atdhetare shqiptare u detyruan ose të largohen në Malësinë e Ohrit e Strugës, ose u detyruan të strehohen në brendi të teritorit të shtetit shqiptar dhe në mbështetje për mbrojtjen e tij.
Më 1-4 mars 1913 i zhvilloi punimet Kongresi i Triestes, e cila përbënte një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e patriotëve nga Shqipëria dhe diaspora për mbrojtjen e interesave kombëtare. Në Kongres morën pjesë personalitetet më të shquara nga tërë viset e Shqipërisë, të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, Egjypt, dhe nga Arbëreshët e Italisë, etj.
Kongresi shqiptar që u mbajt në Trieshte, s’ka dyshimi se u mbështet dhe u organizua nga Qeveria e Austro-Hungarisë, e cila në këtë mënyrë kërkonte me i forcua pozitat e veta në Shqipëri. Delegatë të këtij Kongresi ishin rreth 100, si: Hil Mosi, Fan Noli, Faik Konica, Nikolla Ivanaj, Aleksandër S. Drenova (Asdreni), P. Evengjeli, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri (Çoku), ndërsa rajoni i Strugës u përfaqësua nga Avdulla Rushitit – Gojdrinasi (Struga).
Gazeta “Liria e Shqipërisë” e Kristo Luarasit, nr. 66, e dt. 15 shkurt 1913, që dilte në Sofje e jep këtë lajm mbi Kongresin.
“Fletët e Evropës (gazeta – N.D.) shkrojtën se më 16 të Shkurtit (me kalendarin e ri – 1 mars – N.D.) do të mbahet një Kongres në Triestë prej shqiptarëve që gjindeshin jashtë Shqipërisë.
Në këtë Kongres do të ketë delegatë nga Kolonitë e Amerikës, Misirit, të Rumanisë, etj… Delegatët që gjenden në Trieshtë, javën që shkoi, mbajtën një mbledhje ku zgjidhen një Komision prej shtatë vetësh ku si kryetar u zgjodh Hil Mosi, dhe si nënkryetar Dervish Hima e Faik Beu. Ky komision pat për koncept programin e Kongresit”.
“E para pikë që do të ketë kongresi do të jetë: Të përmbahet e gjallë kombësia shqiptare kudo. Kongresi ka për qëllim të protestojë te Fuqit e Mëdha kundër Ushtrive luftonjëse Serbe dhe Greke në Shqipëri”. Ky qe Kongresi i Trieshtës, ku një kontribut të madh dhe ndër më të zjarrtit padyshim ishte Avdulla Rushitit- Gojdrinasi.
Kryengritja e Shtatorit e vitit 1913, ishte kryengritja e parë e armatosur kundër pushtuesve serbë për çlirimin e bashkim kombëtar. Shpërtheu më 20 shtator 1913, në Dibër dhe përfshin Golobordën, Strugën, Ohrin dhe u përhap edhe në Kosovë, deri në afërsi të Prishtinës. Kryengritësit çliruan: Pershkopin, Dibrën, Ohrin Strugën, e Gostivarin. Haki Stërmilli, në veprën “Dibra në prag të historisë shkruan: “Kur fuqija kryengritëse e Dibrës iu avit qytetit të Strugës, këtu nuk shifesh asnjë shenjë alarmuese në qeveritarët Serbë, mbasi ata kishin vendos jashtë qytetit fuqin të mjafta ushtarake.
Përveç kësaj, Qeveria Serbe, për t’u siguruar nga Struganët, kish arrestue në qytet Abdurrahman Agën, Emrulla Agën dhe Xhemal Sojliun të cilët i kishte dërguar në burgun e Ohrit, ku kishte burgosun edhe disa të tjerë nga ai vend. Sërbët mbas tri ditësh, vendosën me i gri me pushkë këta të burgosun. Por, kjo vepër dështoi nga një propagandë që zhvilluen shqiptarët, të cilët përkapën lajmin se gjoja kryengritësit e Dibrës me një fuqi të madhe i ishin afrue qytetit. Qyteti i Ohrit muerrr zemrën prej këtij zani dhe rroku armët e u lëshua mbi burg. Mbas një luftimi që u zhvillue në mes popullit dhe fuqis së paktë sërbe, ngadhnjyen shqiptarët dhe të burgosurit shpëtuen pa pësue asndonjë dam.
Të burgosurit e Strugës, sa duelën prej burgu, u kthyen në Strugë, ku organizuen, bashkë me të tjerët, një çetë prej 300 vetësh nën prijsin e Abdulla Gojëdrinit. Kjo çetë e bashkueme me fuqinë Dibrane, zu malet e Ptetrinjës”.
Pas kundërmësymjes serbe dhe Betejës së Petrinjës, 1-2 tetor 1913, Abdulla Rushiti, me çetën e tij, doli në mal, me shpresë se shqiptarët e këtyre viseve do të riorganizoheshin për çlirimin e këtyre trojeve nga ekspasionizmi dhe hegjemonizmi shovenist serb.
Masat e ashpra të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe kundrejtë popullsisë tërësisht të pafajshme shqiptare, si dhe marrja e kompetencave Qeverisë së Përkohshme të Vlorës nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, ia rrudhën shprësn Abdulla Rushitit – Gojëdrinasit që të rrinte me armë në dorë maleve të Stugovës dhe Petrinjës. Në këto rrethana aty nga fundi i vitit 1914, kur tanimë kishte filluar Lufta e Parë Boërore, Avdulla Rushiti largohet për në Austri dhe vendoset në Vienë. Atje, pas martesës me një femër austriake me emrin Elsa, do të hap dy locale në qendër të kryeqendrës, Vienës, të cilat do të bëhen vendet më të frekfentuara për emigrantet shqiptarë që vepronin në vendet perëndimore.
Në vitet që veprojë në Vienë, Avdulla Rushiti do të bashkëpunojë me Hasan Prishtinë, Prof. Eqerem Çabejin, Lasgush Poradecin e shumë të tjerë, si dhe për disa vite do të financojë gazetën “Zani i shqiptarit” dhe revistën “Djalëria” – organ I shoqërisë së studentëve shqiptarë “Albania” në Vjenë.
Avdulla Rushiti – nuk la trashëgimtarë. Ndërroi jetë në 25 janar të vitit 1959, në Vienë, pa e parë vendlindjen, Strugën. Ai bënë pjesë në plejadën e atdhetarëve shqiptar që duhet vlersuar realisht për kontributin që dha për çësthjen kombëtare.
Natyrisht, ky portret modest nuk është i plotë. Hulumtimet e mëtejshme do të hedhin dritë mbi të dhëna të reja të këtij atdhetari Strugan që nuk kurseu as jetën, as pasurinë në të mirë të çështjes kombëtare.
Strugë, 2024
Prof.dr.Nebi Dervishi
The post Prof. Dr. Nebi Dervishi /Përkujtesë (me rastin e 65 vjetorit të vdekjes) AVDULLA RUSHIT RUSHITI (Reth 1881-1959 Struga, Gojdrini) appeared first on Struga Ekspres.