Rikthehen makthet e krizës së fillimvitit për Milanin e Piolit. Humbja e fundit 3 me 1 ndaj Udineses në transfertë është një sinjal i fortë alarmi në shtëpinë kuqezi, pasi ekipi në 3 takimet e fundit ka marrë vetëm 1 pikë. Shifra katastrofe që rrezikojnë ndjeshëm synimin e Milanit për të qenë në Champions sezonin e ardhshëm. Në Friuli, ndeshja nisi si mos më keq për Milanin që mori gol në minutën e 10 nga Perreira në një aksion ku bëri gabim të dyfishte Fikajo Tomori. Reagimi i Milanit ishte shumë i dobët, mirëpo kuqezinjtë u favorizuan nga episodi i minutave të fundit kur pas një prekje të topit me dorë në zonë, gjyqtari dha penallti. Nga pika e bardhe Ibrahimovic gaboi para portierit Silvestri. Mirëpo gjuajta u përsërit pasi lojtarët vendas ishin futur në zonë pa u gjuajtur penalltia. Në të dytën tentativë suedezi nuk gaboi duke vendosur një rekord personal si golashënuesi më i vjetër në historinë e kampionit italian me moshë 41 vjeç e 166 ditë. E ndërsa u mendua se pjesa e parë do mbyllej 1 me 1 në minutën e 6 shtesë, Beto për Udinesen riktheu avantazhin duke përfshirë edhe nga mefshtësia e mbrojtjes mike. Në pjesën e dytë goli i Ehizibue ishte ndër të paktat episode për tu përmendur në një ndeshje krejtësisht për tu harruar për Milanin që është në vendin 4, por rrezikon të humbasë edhe më shumë terren kundrejt Romes, Lacios apo Interit. I vetmi ngushëllim është fakti që kundërshtarët e zonës Champions përplasen me njeri-tjetrin, së pari derbi i kryeqytetit në Olimpico dhe pastaj derbi i Italisë në mbrëmje Inter-Juventus, të dyja supersfidat të cilat transmetohen në Tring.
Udinese “fundos” Milanin, kuqezinjtë rrezikojnë Championsin
Share.