Lajmi se Federata Shqiptare e Futbollit bashkë me atë të Serbisë kanë propozuar bashkëorganizimin e Kampionatit Europian të shpresave, ka sjellë reagimet të forta.
Tifozët kuqezi publikuan një video të protestës së tyre në ambientet e jashtme të “shtëpisë së futbollit”. Ata lyen me bojë të kuqe kangjellat e rrethimit të jashtëm, duke nënkuptuar gjakun e derdhur për liri nga shqiptarët në luftën kundër pushtuesve serbë, ndërsa vendosen fotografi nga masakrat në Kosovë.
“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet t’i rregullojë imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që depërtuan miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, shkruhej në reagimin e tifozëve në rrjetet sociale.
Një ditë më parë edhe tifogrupi “skifterët” e Gjilanit në Kosovë protestoi ashpër me banderola ndaj kreut të FSHF Armand Duka.