Pas lajmit se gardiani i portës së Lazios ishte i infektuar me Covid 19, bazuar në dëshminë e një ish-lojtari të Torinos, ka reaguar edhe vëllai i shqiptarit Strakosha. Dimitri, i cili përgënjeshtron një lajm të tillë.
“Duhet të të vij turp që përhap gënjeshtra të tilla, nëse nuk do të ishte në moshën tënde, personalisht do të hidhja në gjyq për informacion të rremë”, shkroi ndër të tjera vëlla i Strakoshës në profilin e tij në “Instagram”.
Në shtëpinë e Lazios janë gjithashtu të qetë. Strakosha nuk është në gjendjen e tij më të mirë si pasojë e një dëmtimi, por nuk ka asnjë lidhje me deklaratat e bëra nga Brambati. Vetëm një ditë më parë, Strakosha është parë në një pishinë, së bashku me vëllain e tij ndërsa fotografinë ia ka bërë babai, Foto, shkruan “Corriere dello Sport”.
Brambati, shkroi se “janë dy lojtarë, një i Milan dhe një i Lazio, pozitiv me coronavirus. Ai i Lazios është Strakosha, për të cilin thonë se është dëmtuar në kavilje por nuk është e vërtetë, ka bërë një tampon dhe ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Nuk e di për Ibrën por Kessie i Milan është pozitiv”.
Këto fjalë të thëna nga Massimo Brambati, ish lojtari i Torino e Bari, në një lidhje të drejtë për drejtë në “Instagram” kanë tronditur jo vetëm dy klubet por të gjithë futbollin italian i cili është në garë me kohën për të rifilluar sezonin.