Shqipëria do të njohë sot në orën 18:00 rivalët në grupet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” të shtunën më datë 2 dhjetor.
Shorti për evenimentin më të madh të futbollut në Europë do të hidhet në Hamburg.
Ekipet e kualifikuara deri më tani ( mungojnë edhe te skuadra që do të dalin nga play-off në mars 2024) janë të ndara në 4 vazo.
Kuqezinjtë janë vendosur në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.
Gjermania si ekipi pritës i Europianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.
Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia. Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tre ekipe Italia, Serbia dhe Zvicra.