Është derbi tradicional i Europës. Bayern Munich dhe Real Madrid kujdesen që në çdo takim të japin një spektakël dhe momente të gdhendura në historinë e Champions League, në një “betejë” që ecën gjithmonë në ekuilibër. Hera e fundit që të dy u takuan ishte përsëri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2017/2018, kur Madridi eliminoi bavarezët 4-3 në total për t’u kualifikuar në finale.
Që atëherë të dy nuk kanë kryqëzuar rrugët në garën kryesore ndërklube. Kanë kaluar pesë sezone pa derbin tradicional të Evropës, por ai rikthehet mbrëmjen e së martës për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League në Allianz Arena. Emrat dhe skuadrat mund të duken pothuajse të barabarta, por rruga që dy skuadrat kanë marrë këtë sezon është shumë e ndryshme.
Nga njëra anë, Reali po marshon me besim drejt titullit të tyre të 36-të në La Liga, ndërsa Bayern pa Leverkusenin magjik të Xabi Alonso-s të fitojë ligën dhe të thyejë dominimin e tyre 11-vjeçar në Bundesligë! Sikur të mos mjaftonte kjo, Bayerni rrezikon ta mbyllë sezonin pa titull nëse nuk arrin të fitojë Champions League, ndërsa Reali ka marrë edhe Superkupën e Spanjës me fitoren mbresëlënëse në finale 4-1 ndaj Barcelonës. /vizionplus.tv