Nga Ervin Sina
Shqipëria do të luajë sonte miqësoren e dytë në pak ditë. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë në orën 19:00 në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit, përballë Suedisë vendase.
Kombëtarja jonë është e thërritur të bëjë një autokritikë në lojë dhe rezultat pas goditjes së fortë që mori të premten në mbrëmje kundër Kilit ku u mundën 3 me 0.
Trajneri Silvinjo në konferencën e fundit për shtyp nxori në pah edhe një shqetësim, që duket se ndjehet jo pak aktualisht në organikën kuqezi, ankthin e madh tek lojtarët se kush do të jetë në listën e Europianit.
Sylvinho: Djemtë janë shumë të motivuar e karikuar. Ne e dimë forcën tonë e duhet të provojmë të përmirësohemi. Ata janë të karikuar, ne kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë në kualifikuese dhe tani kemi ndryshime që duhen përgatitur për Europianin. Ka shumë rëndësi rezultati, gjithmonë, por në këto momente duhet të vlerësojmë gjithçka, provojmë lojtarë. Është moment i bukur. Por lojtarët janë në ankth që të bëjnë mirë që të sigurojnë një vend në 23-she.
Trajneri Brazilian paralajmëroi ndryshime, por shtoi se kombëtarja nuk është gati për rotacion masiv.
Sylvinho: Skuadra nuk është gati që të bëjë 5-6 ndryshime. Është fillimi i një pune, mos e harrojmë, janë të rinj me pak eksperiencë. Ndoshta nesër 3-4 lojtarë do i shohim ndoshta për të provuar diçka më shumë.
Duke qëndruar tek formacioni i mundshëm, në mbrojtje ndryshimi i vetëm i sigurt duket në të djathtë ku Ivan Balliu do të zërë vendin e Hysajt, ndërsa Kumbulla është në balotazh me Mihajn. Në mesfushë dyshja Ramadani-Asllani është e paprekshme, ndërsa Nedim Bajrami është në balotazh me Ernest Mucin.
Reparti ofensiv ka dilemat më të mëdha që nga Seferi apo Hoxha në të majtë, Asani apo Mucolli në të djathtë e deri tek maja e sulmit ky Broja mund të zgjidhet para Manajt. Në Stokholm do të ketë më shumë se 3 mijë shqiptarë dhe një flamur gjigand që do të shpaloset nga tifozët kuqezi./vizionplus.tv/