Manchester United është i tëri në shitje. Drejtuesit e klubit janë të hapur të shesin shumicën e skuadrës në një fushatë eksplozive shitjesh në verë me vetëm tre lojtarë që konsiderohen jashtë merkatos.
Hierarkia e re drejtuese e klubit, e udhëhequr nga bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe, janë të përgatitur të jenë të pamëshirshëm me largimet e mundshme në fund të sezonit, veçanërisht pasi United i duhet të respektojë kufizimet e rregullave financiare të vendosura nga Premier League.
Manchester United nuk do të jetë në Champions League sezonin e ardhshëm, çka përbën një kërcënim serioz për planet e drejtuesve duke sjellë paqartësi për të ardhmen e lojtarëve , ashtu si dhe për trajnerin Erik ten Hag e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt.
Media angleze bëri të ditur se tek United janë mendjehapur sa u përket shitjeve dhe të gatshëm të vlerësojnë oferta. Madje dhe një lojtar si Marcus Rashford mund të lejohet të largohet me hapjen e merkatos.
Shitja e Rashford është një opsion për United duke qenë se 100% e vlerës së siguruar do të konsiderohej si fitim i pastër për një lojtar të rritur në akademinë e klubit.
United i duhet të gjenerojë të ardhura për buxhetin e transferimeve, me klubin që kërkon një sulmues të ri, një mesfushor qendre dhe një mbrojtës të djathtë, por nuk ka kapacitetin për të shpenzuar shuma të mëdha si në vitet e fundit.
Nëse United nuk luan fare në Europë, ata do të duhet të ndjekin një politikë drastike shitjesh, pasi aftësia për të shpenzuar sezonin e ardhshëm është kompromentuar nga 555 milionë paundë të shpenzuara në 3 verat e fundit.
Vetëm 3 lojtarë, Kobbie Mainoo, Alejandro Garnacho dhe Rasmus Hojlund, janë kursyer nga lista e shitjeve, me United që shpreson të ndërtojë një skuadër fituese rreth kësaj tresheje në të ardhmen.