Shqipëria ka kampionin e saj edhe në Lojërat Olimpike Speciale që po mbahen në Berlin prej datës 17 qershor. Notari Gersi Troka ka triumfuar në garën 200 metra stil i lirë në not, duke ia dalë të marrë medalje ari.
Gersi ia doli të bëjë një performancë të shkëlqyer në çerekfinale e gjysmëfinale, duke lënë ndjeshëm pas rivalët e tij, teksa edhe në finale ia doli të vendosë kohën më të mirë duke marrë medaljen e parë të artë për Skuadrën Speciale Shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë për notarin Gersi Troka që ia del të marrë medalje në evente ndërkombëtare, por do të mbahet mend padyshim si medalja e parë e artë e Shqipërisë, në Lojërat Olimpike Speciale.
Skuadra Olimpike Speciale Shqiptare përfaqësohet me 10 sportistë në Lojërat e Berlinit, 5 herë më shumë se në lojërat pararendëse. Ata garojnë në disiplina të ndryshme si noti, peshëngritja, basketbolli e atletika, teksa pavarësisht vështirësive të panumërta organizative, kanë vullnetin të përfaqësojnë denjësisht vendin tonë dhe madje të sjellin edhe medalje të arta./Living/