
Messi është më i miri, për të disatën herë në karrierën e tij të lavdishme! Pleshti u shpall futbollisti më i mirë në botë për vitin 2022 në mbrëmjen gala të çmimeve të shpërndarë nga FIFA, duke mundur konkuren e Mbappe dhe të Benzema. Ishte kurorëzimi i një viti spektakolar, ndoshta nga më të rëndësishmit në karrierën e tij të pabesueshme. Në vitin 2022 ai pati një formë brilante me PSG në nivel klubesh, ndërsa qershia mbi tortë ishte kupa e botës ëndrra e tij më e madhe e parealizuar deri në 18 dhjetor 2022 të paktën, kur ai si kapiten i Argjentinës ngriti lart kupën e botës, më e madhe dhe e vetmja që mungonte si futbollist. Ceremonia e edicionit të 7 të çmimeve të FIFA mbajtur në Paris, u dominua nga Argjentina, e cila rrëmbeu edhe çmimin e trajnerit më të mirë të 2022 përmes Lionel Skalonit, portierit më të mirë përmes Emiljano Martinezit dhe tifozerisë më të mirë të vitit të kaluar. Tek vajzat, çmimin e lojtares ë të mirë të FIFA-s për vitin 2022 e fitoi për vitin e dytë radhazi Aleksia Putejas,e Barcelonës. Çmimin pushkash për golin më të bukur të vitit e meritoi Marcin Oleksy nga futbolli i sportisteve me aftësi të kufizuara. Formacionin e vitit e dominuan PSG dhe Real Madrid me nga tre lojtarë, secili në 11-titullar konkretisht Messi, Mbape dhe Hakimi për francezët si dhe Kurtua, Modriç dhe Benzema për spanjollët. Kompletuan ekipin më të mirë edhe Kanselo, Van Dajk, de Brojnë, Kasemiro dhe Haland.