Trofeu “me veshë të mëdhenj” do të rikthehet pas pauzës së gjatë, në datat 7 dhe 8 gusht, me takimet e kthimit të fazës së 1 të 8-ave. Katër skuadra e kanë prerë biletën për në raundin tjetër, PSG, Leipzig, Atalanta dhe Atletiko Madrid që eliminoi kampionët në fuqi të Liverpool.
Kualifikimi ndërkohë mbetet i hapur për shumë emra të mëdhenj si Juventus, Real Madrid, Manchester City apo Barcelona.
8 skuadra çerekfinaliste do të zhvendosen më pas në Lisbonë atje ku do të zhvillohen të gjitha ndeshjet deri në finale, prej datës 12 deri më 23 gusht.
E njëjta formulë do të përdoret edhe në Europa League, ku 8 më të mirat do të grumbullohen në Gjermani dhe do të luajnë në katër stadiume të ndryshme nga data 10 deri në 21 gusht.
Sa i përket sfidave Inter-Getafe dhe Roma-Sevija, të vetmet ndeshje që nuk u zhvilluan për shkak të pandemisë, ato do të zhvillohen me një takim të vetëm, në Gjermani.