Luiza Gega ka komentuar ceremoninë madhështore të pritjes që iu bë nga qeveria pas fitores së titullit si Kampione Europe në atletikë.
Në një intervistë për ‘Next’ në Vizion Plus, Gega u shpreh se e priste një ceremoni të tillë pasi në të gjithë botën sportistët janë ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre.
Nga ana tjetër Luiza u shpreh e kënaqur pasi edhe pse me vonesë, infrastruktura dhe shpërblimet janë përmirësuar për sportistët.
“Kudo në botë sportistët cilësohen si ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre. E doja dhe e prisja një ceremon të tillë, kushdo që të ishte, unë patjetër do të shkoja sepse është një punë që është bërë dhe e meritoja. Për sa i përket mbështetjes nuk është se ka ndryshuar asgjë, ishte bërë më përpara ndryshimi i ligjeve për shpërblimet, është bërë para dy viteve. Kam që në vitin 2016, që kërkoj një pistë vrapimi në Tiranë e tanimë që u realizua, sigurisht që është shumë vonë. Por mundohem të kënaqem që më në fund u bë.”– tha Gega.
Kampionia Luiza Gega tregoi për Next, se në rrugëtimin e saj ka pasur shumë vështirësi, por që nuk u dorëzua asnjëherë.