Gazetarët sportivë Tami Kona dhe Ervin Sina kanë komentuar ndeshjet e kombëtares dhe kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024.
Në studion e “7pa5”, Kona tha se fillimisht ai ka qenë skeptik për Sylvinion, por specifikon që përgatitja e kombëtares këtë herë ka qenë më e mirë se ajo e herëve të kaluara.
“Ne kemi qenë kritik për Kombëtaren kur ishte në drejtimin e Edi Rejas. Për kombëtaren duhet të jemi pak të rezervuar. Trajneri i ri po bën gjëra më mirë se ai imëparshëm. Duket sikur një dorë zbriti nga zoti. Unë kam qenë skeptik në fillim”, tha Kona
I të njëjtit mendim ishte edhe gazetari Ervin Sina, i cili tha se skepticizmi për Sylvinion ka qenë shumë i madh, për shkak të drejtimit të dështuar në dy ekipet, Lyon dhe Brazil. Ai tha se me trajnerin e ri, Shqipëria ka thyer rekord të ri, ndërsa theksoi se Sylvinio duhet të zgjidhë çështjen me Brojën, pasi sipas tij ky i fundit i duhet patjetër kombëtares për ndeshjet në Gjermani.
“Skepticizmi jonë ishte reale dhe bazohej tek eksperienca e silviynion në dy ekipet më parë. Eksperienca në Lyon dhe Brazil të dështuara, të bën skeptik. Besueshmëria tek kombëtarja ishte e lartë se futbollistët luajnë në Serie A. Ne bëjmë një punë prej dekadash dhe e shohim me sy kritik. Kur vjen fundi i një edicioni dhe shikon që Shqipëria ka thyer rekordin, jemi në vendin e parë, kemi shënuar më shumë gola, ne duhet të themi që ky njeri erdhi në një moment të vështirë. Tani skuadra ka një konfigurim, që luan me një stil. Tani ka një imazh të vetin. Broja nuk duhet të mungojë në Kombëtare. Çështja me të duhet të zgjidhet”, tha Sina.