Inter ka vendosur të vazhdojë të punojë edhe më gjatë sesa qershori i vitit 2025 me trajnerin Simone Inzagi.
Mediat italiane bëjnë me dije se palët po shkojnë drejt rinovimit të kontratës për herë të tretë.
Natyrisht ndryshe nga dy herët e para, ky do të jetë rinovimi më i rëndësishëm i kontratës për teknikun e zikaltër, pasi vjen në një moment kur Inter po përgatitet të festojë titullin e 20 kampion në histori.
Që nga finalja e Champions League e vitit të kaluar dhe dominimi absolut i këtij sezoni në Itali kanë ndryshuar shumë gjëra për Simone Inzagin.
Nëse në sezonin e kaluar kishte dilemë dhe shpesh dilnin në skenë emra kandidatësh për stolin e Interit, tanimë shoqëria zikaltër ka një besim absolut tek drejtuesi i stolit.
Ndaj, tek Inter tanimë po nxitojnë ti vendosin përpara 47-vjeçarit kontratën e re e cila nuk duhet të përfundojë më në qershor 2025, por do të jetë deri në verën e vitit 2027.
Bashkë me zgjatjen në kohë të bashkëpunimit, Inzagi do të rriste edhe fitimin vjetor , nga 5.5 mln euro neto që merr aktualisht , do të shkonte 6.5 mln euro neto.
Simone Inzagi e mori drejtimin e Interit në qershor 2021 dhe prej atëherë ka fituar 4 trofe, dy kupa italie dhe dy superkupa, pa lënë mënjanë edhe të qenit finalist të Champions League sezonin e kaluar.