Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka hedhur poshtë sot lajmet se belgu Kevin de Bruyne do të largohet nga skuadra këtë verë.
“Kevin nuk do të shkojë askund”, u tha Guardiola gazetarëve në SHBA, ku ekipi i tij po përgatitet, siç raportohet nga BBC.
Trajneri spanjoll deklaroi gjithashtu se beson se City do të hyjë në sezonin e ardhshëm me të njëjtin ekip, por nëse dikush largohet do të duhet të mendojë për përforcime.
“Nuk e përjashtoj mundësinë e ardhjes së lojtarëve të rinj, por mendoj se ka 85, 90, 95 për qind mundësi që të kemi të njëjtin ekip”, tha Guardiola.
De Bruyne ka kontratë me Cityn edhe për një vit, ndërsa në fillim të muajit tha se do të shqyrtojë një ofertë të mundshme nga Arabia Saudite.
“Në moshën time duhet të jesh i hapur për gjithçka. Po flasim për shuma të pabesueshme parash, në fund të mundshëm të karrierës sime”, tha më herët futbollisti belg.
Manchester City do të luajë ndeshjen e parë të sezonit të ri të Premierligës angleze kundër Chelsea më 18 gusht. /vizionplus.tv