Me shumë gjasa ky do të jetë sezoni i fundit i Ernest Muçi te skuadra e Legias së Varshavës.
Mediat turke bëjnë të ditura se gjiganti turk Besiktas, ka shprehur interesim për të marrë shërbimet e lojtarit të Shqipërisë.
Sigurisht që problemi kryesor është vlera e kartonit, pasi Muçi nuk lëshohet për më pak se 10 milionë euro. Te Besiktas është trajner Fernando Santos, njeriu që u shkarkua pas humbjes që Shqipëria i shkaktoi Polonisë.
Muçi duket se është shndërruar në të preferuarit e Santosit, me portugezin që kërkon të transferojë në Turqi, talentin shqiptar.
Lojtari i Kombëtares ka mbushur tri vite nga transferimi në Poloni dhe mund të ndyshojë skuadër në verë. Legia është e vetëdijshme për “xhevahirin” që ka në dorë dhe kërkon të përfitojë një shifër të majme nga shitja e tij.
Ndërkohë vetë Muçi disa ditë më parë duke folur për median polake “Pilka Nozna”, pati deklaruar se ndihet mirë te Legia por në të ardhmen dëshiron të luajë në një prej kampionateve më të mira në botë.
Mund të zhvillohem akoma te Legia, por kam ambicie dhe ëndrra, është normale për cdo lojtar. Dua që një ditë të luaj në një prej kampionateve më të mira në botë. Kur? Kur të jetë koha e duhur, tani jam te Legia”, ishin fjalët e Muçit.