Xhanluixhi Donaruma, e ka cilësuar si një ndeshje mjaft të vështirë atë përballë Shqipërisë, e cila do të luhet mbrëmjen e së shtunës në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Në konferencën e përditshme për mediat, Donaruma theksoi se Shqipëria ka një ekip shumë të mirë dhe futbollistë shumë të shpejtë të cilët mund të të ndëshkojnë në çdo moment.
“Kur përballesh një një kompeticion, si Evropiani karikimi të vjen natyrshëm. Shpirti do të jetë njësoj si ai i tri viteve më parë. Do të përpiqemi t’i përjetojmë netët magjikë të Euro 2020. Unë tentoj të jap gjithçka kam, gjithashtu të jap këshilla për skuadrën. Ne jemi gati.
Shqipëria? Sigurisht që është ndeshja më e sikletshme për të debutuar në Evropian, një duel plot kurthe. Shqiptarët janë të zotët, kanë futbollistë të shpejtë. Ata zhvillojnë një futboll të bukur, kështu që nuk mjafton të jemi në 70-80% ndaj tyre, duhet të japim 100%. Është shumë e rëndësishme ndeshja kundër Shqipërisë në lidhje me kualifikimin.
Ata janë të shkathët dhe të shpejtë. Kemi parë disa video të Shqipërisë, kanë futbollistë shumë të fortë në aspektin individual. Duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit, pasi Shqipëria është e rrezikshme në kundërsulmet e shpejta. Ndeshja fitohet në minutën e parë, por edhe në të fundit. Duhet të kemi ekuilibër në fushë, është shumë e rëndësishëm që të mos zgjatemi shumë si skuadër dhe të mos u lejojmë hapësira”, tha Donaruma.