Sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Broja ka lënë Chelsean për tu huazuar në pjesën e dytë të sezonit te skuadra e Fulham.
Broja kaloi me sukses testet mjekësore, ndërsa ka marrë numrin nëntë në skuadër.
Për të siguruar shërbimet e sulmuesit, ekipi pagoi rreth 5 milionë euro për huazimin. Prej hapësirave të pakta pas operacionit në gju, Broja ka shënuar vetëm një gol në këtë sezon të Premier League, pikërisht kundër Fulham.
“Ndihem vërtetë shkëlqyeshëm. Jam i kënaqur që iu bashkova Fulham. Po pres me padurim ta nis këtë aventurë, të takoj shokët e skuadrës, trajnerin dhe të luaj përpara tifozëve. Do të punoj fort për ekipin dhe të shënoj sa më tepër gola. E kam për nder të luaj për këtë fanellë. Kur isha 7 vjeç bëra një provë te Fulham. I kujtoj mirë ambientet e klubit, fushat dhe stadiumin me atmosferë fantastike. E kam të qartë që duhet të kthehem nga një dëmtim i rëndë. Me Fulham do të rikthehem në maksimumin tim. Do të provoj të tregoj të gjitha cilësitë e mia. Dua të jem një model për t’u ndjekur, si njeri dhe si futbollist”, u shpreh Broja.