Shfaqja e herë pas hershme e ankthit dhe vuajtja nga ankthi janë dy gjëra krejt të ndryshme! E para përbën shqetësime normale të çdo dite, ndërkohë që kjo e fundit fillon me një mendim apo ndjenjë që ju bën të fiksuar, duke ju çuar gjithmonë e më poshtë me humorin, madje ndonjëherë shoqërohet edhe me simptoma fizike si rrahje zemre të shpeshta, djersitje të tepruar, etj.
“Ankthi është një pjesë normale e jetës”, thotë Crystal I. Lee, Psy.D, psikolog i njohur në LA, por “sidoqoftë, kur ankthi juaj shtrihet në të gjitha aspektet e jetës, ju jo vetëm që nuk përjetoni një situatë normale, por ju po vuani nga çrregullimi i ankthit. Sëmundje kjo prej së cilës po vuajnë më shumë se 25 milionë amerikanë”.
Duket se çrregullimi i ankthit nuk është lloji i vetëm i njohur, pasi janë disa kategori të tjera të njohura si çrregullime paniku (një frikë e papritur dhe intensive që vjen dhe del brenda minutave, sulm paniku) dhe çrregullime të lidhura me fobi si një frikë e fortë për një gjë të veçantë, si merimangat ose hapësirat e mbyllura), etj.
Por, të gjitha çrregullimet e ankthit kanë një fije të përbashkët: kur ai bëhet konstant dhe ndërhyn në jetën tuaj të përditshme, ju keni nevojë për trajtim. Ja se si ta mësoni përmes këtyre tetë shenjave se problemet tuaja me ankthin janë ose jo serioze, sipas Women’s Health.
1. Mendimet e këqija nuk largohen
Nëse keni një çrregullim ankthi, ju bëheni jashtëzakonisht të shqetësuar në situata ku miqtë ose familjen tuaj mund ta marrin këtë ndodhi thjesht si një shqetësim të vogël. Ashtu si gjatë një mbledhjeje përvjetori familjar, psh. Ankthi juaj gjithashtu mund të jetë i zgjatur ose i vazhdueshëm, por kurrë nuk zhduket. Kur ankthi fillon të ndikojë në jetën tuaj të përditshme dhe aftësinë për të jetuar një jetë përmbushëse, atëherë këtu bëhet fjalë për diçka serioze.
2. Ankthi juaj shoqërohet me simptoma të tjera
Ju mund të vini re shenja fizike që nuk i keni pasur më parë, duke përfshirë dhimbjen muskulare, shqetësimin dhe lodhjen. Dhe mos u habisni nëse keni edhe probleme gastrointestinale. Çrregullimet e ankthit mund të çojnë në mërzitje, por edhe në diarre, urth, pasi trupi juaj është gjithmonë në një gjendje ankthi.
3. Nuk mund të përqendroheni
Nuk është e pazakontë që njerëzit me ankth të diagnostikohen gabimisht si njerëz me çrregullim të vëmendjes dhe defiçit të hiperaktivitetit. Kjo për shkak se individët me çrregullime ankthi shpesh e kanë të vështirë për t’u fokusuar.
4. Shqetësoheni për gjithçka
Po, shumë çrregullime ankthi janë shkaktuar nga shqetësime specifike. Për shembull, ankthi mund të bëjë që ju të shqetësoheni për të panjohurën, si ajo që mban të ardhmen tuaj peng; ndërkohë që një fobi mund të të frikësojë menjëherë, si një merimangë që del përpara. Kjo tingëllon e lodhshme, por për ata me çrregullime ankthi, shqetësimet mund të bëhen ciklike dhe të çojnë në situata më të rënda.
5. Keni gjithmonë frikë të merrni vendime
Nëse keni të bëni me një çrregullim ankthi, atëherë aftësitë tuaja të vendimmarrjes janë në pozita jo fort të sigurta. Çrregullimet e ankthit ju bëjnë të pavendosur, sepse keni frikë të bëni zgjedhjen e gabuar, thotë psikiatrja. “Ju bini në një gropë të pafundme shqetësimesh ndërsa mendoni për të gjitha mundësitë e pafundme dhe rezultatet e vendimeve tuaja dhe ky shqetësim mund të jetë paralizues“.
6. Ju dëshironi të shmangni të gjitha gjërat
“Nuk është e pazakontë për një person me një çrregullim ankthi për të shmangur situatat, pa marrë parasysh nivelin e rëndësisë, kjo për të shuar ndjenjat e tepruara të ankthit”,- thotë Barlow. Por, Lee thekson se kjo shmangie në të vërtetë ushqen edhe më shumë çrregullimet e ankthit.
7. E keni të vështirë të flini
Sipas Shoqatës së Ankthi dhe Depresionit të Amerikës (ADAA), disa nivele të ankthit çojnë në probleme të gjumit dhe të tilla simptoma janë të pranishme në pothuajse të gjitha çrregullimet psikiatrike, duke përfshirë çrregullimet e ankthit.
8. E shihni gotën “gjysmë bosh”
Nuk është e pazakontë që çrregullimet e ankthit të heqin çdo optimizëm ose shpresë për të ardhmen, thotë Lee. “Ndaj, kur mendoni për rezultatet e ndryshme për vendimet tuaja, ato shpesh çojnë në një përfundim: E gjitha do të dështojë”, thotë ajo.