Lionel Messi, i cili vlerësohet si nga më të mirët e historisë së futbollit, sot feston 34-vjetorin e lindjes.
Messi shpeshherë konsiderohet si më i madhi i të gjitha kohërave. Superylli i Barcelonës dhe Argjentinës ka një rekord prej gjashtë çmimeve në Ballon d’Or.
I lindur në Rosario të Argjentinës, djaloshi që kishte probleme me hormonet e rritjes befasoi Barcelonën. Klubi katalan i ofroi menjëherë kontratë, duke përfshirë edhe të gjitha kostot e trajtimit shëndetësor. Leo i ngjiti shumë shpejt shkallët në hierarkinë e klubit dhe në tetor të vitit 2004, debutoi me ekipin e parë, në derbin kundër Espanyol.
Në moshën 17 vjeç e tre muaj e 22 ditë, u bë në atë kohë lojtari më i ri që luante me katalanasit në një ndeshje zyrtare.
FC Barcelona i ka uruar datëlindjen argjentinasit, teksa ka përzgjedhur dhjetë golat e tij më të mirë të shënuar me fanellën katalunase.