Këngëtari me famë botërore, Tom Parker vuan nga një tumor në tru, të cilin nuk e operon dot. Anëtari i bandës muzikore “The Wanted” e dha vetë lajmin për fansat në “Instagram”.
“Jam akoma i tronditur. Diagnoza duket si ëndërr. Unë e dija që diçka nuk ishte në rregull, por kurrë nuk e prisja që të ishte kjo. Ti thjesht kurrë nuk mendon se kjo do të të ndodhë ty”, tha ai.
Këngëtari 32-vjeçar, që është baba i dy fëmijëve, vuan nga tumori “glioblastoma”. Kanceri ndodhet në fazën e katërt të zhvillimit. Mjaft e tronditur nga lajmi është edhe gruaja e tij, Kelsey, që është 36-javëshe shtatzënë.
“Kemi kaluar gjashtë javë të çmendura. Ne kuptuam se diçka nuk shkonte që në korrik, por kurrë nuk mund të imagjinonim se ishte kjo.”
Tom Parker pësoi një krizë në korrik dhe u vendos në një listë pritjeje për skanim. Por gjashtë javë më vonë, ai pati një sulm tjetër edhe më serioz dhe u dërgua me urgjencë në spital. Bashkëshortja nuk u lejua të ishte pranë tij për shkak të rregullave të koronavirusit kur ju tha se kishte tumor. Tom Parker tha në mesazhin e tij në “Instagram” se ka gjashtë javë që po bën kimioterapi dhe radioterapi.
“Nuk ka asnjë mënyrë të thjeshtë për ta thënë këtë, por unë fatkeqësisht jam diagnostikuar me një tumor në tru dhe tashmë po trajtohem. Ne vendosëm që të mos e fshehim këtë lajm. Ne jemi të shkatërruar, por do të luftojmë me sëmundjen. Ne nuk duam që ju të trishtoheni, duam vetëm dashuri dhe pozitivitet dhe që të gjithë së bashku të rrisim ndërgjegjësimin për këtë sëmundje të tmerrshme.”
Glioblastoma është kanceri që prek më së shumti trurin. Sëmundja është agresive, ajo fillon në tru dhe më pas përhapet shpejt. Kanceri është i vështirë për t’u trajtuar sepse është rezistent ndaj mjekimit, pasi qelizat brenda tumorit nuk janë të gjitha të të njëjtit lloj.