Aktori Albano Bogdo ka hedhur poshtë zërat se batutën që ai bëri në emisionin e tij “Albano Show” ka qenë për zhurmë mediatike.
Në një intervistë për emisionin “7pa5” ne Vizion Plus, Bogdo tha se batuta ka qenë një improvizim i momentit dhe jashtë skenarit.
Ai shton se është ndër personazhet që përmes humorit, ia u ka thënë çfarë mendon në sy të gjithë politikanëve, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, tek Sali Berisha apo Ilir Meta.
“Absolutisht që nuk e kam bërë për zhurmë. Ishte një batutë që e improvizova aty për aty nuk e kisha fare në skenar. Thjesht ashtu më doli se ashtu i mendoj unë gjërat. Gjithë jetën kam improvizuar. Mua më kanë shkruar nuk ke ti kurajo tu thuash politikanëve kështu dhe gjen një vajzë e një djalë që jetojnë andej. Jam unë që i kam thënë Edi Ramës çfarë lloj droge pi, sa miliarda euro ke vjedhur. Të njëjtat pyetje edhe Sali Berishës, Ilir Metës e të gjithë politikanëve që nuk ua ka thënë askush. Do vazhdoj t’i them, në puntatën e parë fare isha duke thënë gjithë ministrat që në 2013 deri më sot nuk e kanë çuar mandatin deri në fund problemin e rrogës, e unë mendova se nga kjo do kisha shqetësime”, tha Bogdo.
Aktori më tej shtoi se nuk është zhgënjyer nga publiku, i cili është shumë herë më i gjerë se ata persona që i shkruajnë apo komentojnë në rrjetet sociale.
“Publiku, janë 4 milionë shqiptarë. 2500 veta që më komentojnë mua dhe më shajnë në instagram nuk janë publiku. Janë 2500 veta pa punë. Nuk janë as 2500 veta por janë 1 mijë që kanë hapur nga dy adresa false”, tha ai.