Virusi BA.2, një nënvariant i Omicron, jo vetëm që po përhapet më shpejt se kushëriri i tij, por mund të shkaktojë edhe sëmundje më të rëndë.
Një studim i ri laboratorik në Japoni, tregon se BA.2 mund të ketë karakteristika që e bëjnë të jetë po aq agresiv sa variantet e mëparshme, përfshirë Deltën. Dhe po ashtu, si Omicroni ai mund t’i shpëtojë imunitetit të fituar nga vaksinat apo infektimet e mëparshme.
Megjithatë, thuhet se doza përforcuese rrit nivelin e mbrojtjes, duke e bërë sëmundjen pas infektimin 74 për qind më pak të mundur.
“Nga perspektiva njerëzore, mund të jetë një virus më i rrezikshëm se BA.1, mund të jetë në gjendje të transmetohet më lehtësisht dhe të shkaktojë sëmundje më të rënda”, thotë mikrobiologu Daniel Rhoads.
BA.2 është gjithashtu rezistent ndaj disa trajtimeve përshirë Sotrovimab, terapia monoklonale me antitrupa që po përdoret aktualisht kundër Omicron. Të dhënat në botën reale, lidhur me agresivitetin e virusit janë të ndryshme. Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA vlerëson se 4 për qind e amerikanëve, janë prekur nga nënvarianti, por pjesë të tjera të botës kanë më shumë eksperiencë.
Ai është bërë dominant në të paktën 10 vende, Bangladesh, Brunei, Kinë, Danimarke, Guam, Indi, Mal i zi, Nepal, Pakistan dhe Filipine. Hospitalizimet dhe vdekjet vazhdojnë të bien në vendet ku po përhapet BA.2, të tilla si Britania dhe Afrika e Jugut, por në Danimarkë, shifrat duket të jenë në rritje.