Këto patologji mund të jenë sezonale (riniti) por dhe kronike (astma apo sinuziti), shkruan Dr.Ornela Marko.
1. Anafilaksia është një reaksion alergjik jetëkërcënues, i cili shpeshherë nxitet nga substanca që injektohen apo gëlltiten dhe për rrjedhojë kalojnë në qarkullimin e gjakut, transmeton lajmi.net. Ndodh një reaksion i vrullshëm që përfshin lëkurën, mushkëritë, hundën, fytin, traktin gastro-intestinal etj. Edhe pse mund të fillojë brenda pak sekondash apo minutash nga ekspozimi ndaj alergenit, mund të jetë fatal, nëse nuk trajtohet.
2. Riniti alergjik, termi mjekësor për rrufën e vazhdueshme alergjike, është një inflamacion i mukozës së hundës, i cili ka simptoma të ndryshme, si p.sh.: teshtima, kruajtje të hundës, bllokim të saj, rrjedhje të ujshme dhe rrjedhje në fyt i mukusit prej sinuseve (postnazal drip). Pjesa më e madhe e njerëzve shfaqin simtomat e rinitit alergjik në fëmijëri dhe në adoleshencë, por mund të fillojë në çdo moshë. Disa pacientë mund të mos kenë më simtoma me kalimin e kohës, ndërsa të tjerë mund t’i kenë vetëm në periudha të caktuara të vitit. Më të shprehura janë tek fëmijët dhe tek të rriturit 30-40 vjeçarë. Gjatë jetës së pacientit simtomat variojnë, ka periudha që janë më të shprehura dhe ka momente që mungojnë.
3. Konjuktiviti apo skuqja e syve mund të jetë dhe alergjike. Është më i zakonshëm tek personat që kanë dhe patologji të tjera me natyrë alergjike, si: astma, riniti apo dermatitis. Polenet, akarienet, kafshët, medikamentet, produktet e kozmetikës apo substanca të tjera alergji-shkaktuese, nëpërmjet nxitjes dhe lindjes së reaksioneve të ndryshme fiziopatologjike bëjnë të mundur shfaqjen e simtomave alergjike, të cilat përfshijnë jo vetëm skuqjen e syve, por dhe kruajtje, lotim apo enjtje përreth tyre (enjtje të palpebrave).
4. Urtikaria është një tjetër patologji alergjike që prek lëkurën. Është një reaksion i zakonshëm që ndodh dhe prek rreth 20% të njerëzve në një moment në jetë. Ka shumë faktorë shpërthyes, por simptomat janë dy: kruajtje të lëkurës dhe elemente të kuqe të ngritura në lëkurë (puçrra). Kruajtja mund të përkeqësohet më shumë nëse e ngacmojmë lëkurën, konsumojmë pije alkoolike, jemi në sforco ose në stres.
Disa persona e kuptojnë vetë shkaktarin e urtikaries, sidomos kur ka lidhje me ushqimet, si: karkalecat e detit (frutat e detit), kikirikët (frutat e thata) etj. Të tjerë duhet të bëjnë testet e alergjisë tek mjeku specialist për të gjetur shkakun. Në raste të rralla shkaktari mund edhe të mbetet i paidentifikuar.
- Medikamentet që përdoren për të trajtuar alergjinë janë antihistaminikët. Ky grup medikamentesh ka për qëllim të parandalojë dhe të qetësojë simtomat alergjike nëpërmjet parandalimit të ndikimit të histaminës mbi qelizat e organeve të ndryshme. Për rrjedhojë dhe simtomat e zakonshme të sëmundjeve alergjike (teshtimat, rrjedhja e hundëve, kruajtjet, skuqja e lotimi i syve e kolla) qetësohen ose eleminohen. Kështu rritet dhe cilësia e jetës tek personat alergjikë. /Lajmi.net/