
Si pjesë e një studimi në Kaliforni, shkencëtarët testuan një koktej me tre ilaçe të zakonshëm – hormonin e rritjes dhe dy ilaçe për diabetin – në një vit, në mënyrë që të stimulonin rigjenerimin e gjëndrës së timusit, shkruan kp, transmeton lajmi.net.
Sidoqoftë, sipas një studimi të botuar në revistën Nature, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit humbën mesatarisht 2.5 vjet në “orën e tyre epigjenetike”, siç matet nga gjurmët e gjeneve të një personi.
“Ne prisnim të ngadalësonim orën biologjike, por jo ta kthenim atë,” tha studiuesi i UCLA Steve Horvat.
“E gjitha duket si diçka futuriste”, thotë Horvat për Nature.
Studiuesit paralajmërojnë se gjetjet janë paraprake, pasi vetëm nëntë pjesëmarrës u përfshinë në studim dhe studimi nuk përfshiu një grup kontrolli, por nëse konfirmohet – ndikimi në kujdesin shëndetësor dhe mundësia e ndikimit në procesin e plakjes mund të jetë i madh.
Ora epigjenetike matet duke regjistruar ndryshimet kimike në strukturën e ADN-së së organizmit. Qëllimi kryesor i studimit ishte të provohej – nëse hormoni i rritjes mund të përdoret për të rigjeneruar indet në gjëndrën e timusit, e cila është thelbësore për funksionin imunitar. Gjëndra fillon të tkurret pas pubertetit.
Studimet e mëparshme kanë treguar se hormoni i rritjes stimulon rigjenerimin e timusit, por gjithashtu mund të shkaktojë diabet, prandaj ilaçet e diabetit përfshihen në studimin e fundit.
Studiuesit ekzaminuan orët epigjenetike tek vullnetarët, duke arritur në përfundimin se katër masat e ndryshme të orëve epigjenetike të secilit prej pjesëmarrësve ndryshuan ndjeshëm gjatë procesit.
“Kjo tregon që efekti biologjik i trajtimit është i fortë,” tha Horvat. /Lajmi.net/