Shumë njerëz preferojnë të presin derisa të hanë mëngjes për të larë dhëmbët, në mënyrë që të mos kenë një shije menteje në gojën e tyre, që të mos i lejojë të shijojnë ushqimet. Por këshillat e vjetra për t’i pastruar dhëmbët pas mëngjesit mund të jenë të gabuara, sipas një grupi ekspertësh.
Studentja dentare Ola, e cila po studion në Universitetin Tufts në Massachusetts, është ndër shumë profesionistë mjekësorë që ndajnë këshillat në TikTok. Në një video virale ajo tha që gjithmonë duhet të lani dhëmbët në mëngjes para se të hani, sepse ‘bakteret grumbullohen në gojë brenda natës’ dhe larja si gjë e parë çon në parandalimin e kaviteteve.
Një tjetër higjieniste dentare Avalene, me bazë në Nju Jork, tha se larja menjëherë pas ushqimit mund t’i dëmtojë dhëmbët.
Duke folur për FEMAIL, dentisti i famshëm Dr Richard Marques i “Doctor Richard London”, tha se koha ideale për të pastruar dhëmbët është 10 minuta para mëngjesit për të shmangur dëmtimin e smaltit. Ai shtoi se nëse harroni dhe doni t’i lani pas ushqimit, duhet të prisni të paktën 30 minuta, pasi smalti që vesh dhëmbët dobësohet përkohësisht pas ngrënies.
Kirurgu i NHS Dr Karan Raj, i cili ka 4.4 milionë ndjekës, ndau një klip që shpjegon se si pasta e dhëmbëve mbulon dhëmbët dhe mbron smaltin nga ushqimet acidike.
“Duhet t’i lani dhëmbët para mëngjesit, jo pas,” shpjegoi ai. “Pastrimi para mëngjesit i vesh dhëmbët tuaj me një barrierë mbrojtëse kundër acidit në ushqim apo në lëngun e portokallit.”
Dr Richard Marques, i cili ka klientë të famshëm si Rita Ora, Anne-Marie, Tom Daley dhe Dua Lipa, zbuloi se gjëja më e rëndësishme është të prisni pak kohë mes ngrënies dhe larjes së dhëmbëve.
“Është një debat i vjetër, por këshilla ime profesionale është se nuk ka rëndësi nëse ju i lani dhëmbët para ose pas ngrënies – është sasia e kohës që prisni midis tyre,” shpjegoi ai. “Smalti i çmuar që vesh dhëmbët dobësohet përkohësisht pas ngrënies për shkak të acideve të pranishme në ushqim, kështu që duke i larë menjëherë pasi të hani, rrezikoni ta dëmtoni atë. Smalti është i rëndësishëm, sepse është një nga pengesat e trupit që mbron dhëmbët. Nuk mund të restaurohet, kështu që është jetike të kujdesemi për të. Ju duhet të prisni të paktën 30 minuta pas ngrënies para se të lani dhëmbët, ose të paktën 10 minuta para se të hani, për të siguruar që përbërësit aktivë në pastën e dhëmbëve të kenë pasur një shans për ta bërë punën e tyre dhe për të mbrojtur dhëmbët, dhe kështu smalti të jetë ngurtësuar.”
Mjeku rekomandoi që për mëngjes të shmangni drithërat me sheqer, frutat acidike, lëngun e frutave dhe qumështin. Ai shtoi se ushqimet e mira për mëngjes janë mjalti, dhe jo sheqeri i bardhë, tostë integrale, vezë, avokado. /Lajmi.net/