Klamidia mund të dyfishojë rrezikun e zhvillimit të kancerit të vezores tek gratë, ka zbuluar një studim i ri, shkruan “Living”.
Studimi, i cili do të prezantohet muajin e ardhshëm në konferencën e Shoqatës Amerikane për Hulumtimin e Kancerit, është i pari që tregon se infeksioni më i transmetuar seksualisht mund të shkaktojë ndërlikime aq të rënda, transmeton lajmi.net.
Gjatë viteve të fundit janë marrë shumë masa për kontrollin e infeksioneve të HPV-së, një infeksion tjetër seksualisht i transmetueshëm që thuhet se rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit të vezores.
Por, sipas studimit të fundit, klamidia është edhe më i rrezikshëm, ku mendohet se rrit rrezikun tek kushdo që është prekur nga ky infeksion, pavarësisht kohëzgjatjes.
Gjatë studimit u analizuan të dhënat e më shumë se 1000 grave nga SHBA dhe Polonia. Studimi nuk tregon nëse trajtimi i hershëm i klamidisë mund të ulë rrezikun e zhvillimit të këtij lloji kanceri.
“Të dhënat tona sugjerojnë se sëmundjet inflamatore pelvike rrisin rrezikun për kancerin e vezores, dhe shkaku kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni i klamidisë”, thotë autorja kryesore e studimit, Britton Trabert, nga Instituti Kombëtar i Kancerit.
“Po shohim një dyfishim të rrezikut të kancerit të vezores tek gratë që janë prekur më pas nga sëmundja inflamatore pelvike”.
Ajo shton se kanceri i vezores haset rrallë tek gratë, megjithatë probabiliteti i mbijetesës është shumë i vogël. Kanceri i vezores është shkaku i pestë i vdekjeve nga kanceri tek gratë; 55% e grave të prekura nga ky lloj kanceri vdesin brenda 5 vitesh pas diagnostikimit.
Klamidia, edhe pse mund të kurohet vetëm me një pilulë ose disa antibiotikë, është shumë i vështirë për t’i diagnostikuar.
Shpesh nuk shfaq asnjë simptomë dhe mund të diagnostikohet vetëm me anë të një testi STD. Kanceri i vezores gjithashtu është shumë i vështirë për t’u diagnostikuar në kohë.
Simptomat e tij shpesh ngatërrohen me sëmundje të tjera si fryrja e barkut, kapsllëku, lodhje, dhimbje barku etj. /Lajmi.net/