Në fund të dhjetorit të vitit 2019, dolën raportet e para, për një lloj pneumonie misterioze në Wuhan të Kinës, një qytet me 11 milion banorë. Shkakun, shkencëtarët e përcaktuan shumë shpejt, duke e adresuar si një virus i ngjashëm me virusin SARS, që ishte shfaqur në Kinë në vitin 2003.
Gjashtë muaj më vonë dhe me më shumë se dhjetë million raste të konfirmuara, COVID-19 është bërë kriza më e rëndë e shëndetit publik në shekullin e fundit. Më shumë se 500.000 njerëz kanë mbetur të vdekur si pasojë e këtij virusi në të gjithë botën. Kjo pandemi gjithashtu ka katalizuar një revolucion kërkimor, pasi shkencëtarë, mjekë dhe studiues të tjerë kanë punuar me shpejtësi të madhe për të kuptuar COVID-19 dhe sëmundjen që ky virus e shkakton.
Tanimë dihet se si virusi hyn në një qelizë dhe si i sulmon ato. Shkencëtarët gjithashtu kanë identifikuar ilaçe, që mund të lehtësojnë simptomat e kësaj sëmundjeje. Ata kanë zhvilluar gati 200 vaksina të mundshme, të cilat do të provohen deri në fund të vitit.
Mirëpo sa më shumë që depërton në këtë çështje, shfaqen më shumë pyetje dhe të tjerat zgjaten. Gjithsesi, revista shkencore “Nature”, në këtë artikull është fokusuar në përgjigjet e disa prej pyetjeve kryesore, për të cilat studiuesit ende nuk kanë përgjigje.
Pse njerëzit reagojnë ndryshe ndaj koronavirusit?
Një nga aspektet më të habitshme të këtij virusi, është dallimi i theksuar në përvojat e individëve me këtë lloj sëmundje. Disa njerëz nuk përjetojnë fare simptoma, disa të tjerë kanë simptoma të rënda dhe serioze, të cilat përfundojnë me fatalitet. “Dallimet në rezultatet klinike janë dramatike”, tha Kari Stefansson, ekspert i gjenetikës, ekipi i të cilit është duke kërkuar variante të gjenomit të njerëzve, që mund të shpejgoj pse ndodhin këto dallime.
Muajin e kaluar, një ekip ndërkombëtar duke analizuar gjenomin e përafërsisht 4.000 personave, ka arritur të gjej lidhje të forta në mes të gjenomit njerëzor me koronavirusin. Njerëzit, që kishin zhvilluar simptoma më të rënda, bartnin një nga dy variantet e veçanta të gjenit, në krahasim me ata që nuk kishin simptoma të theksuara. Këto dy variante të gjenit ishin të lidhura me grupin ABO të gjakut si dhe kodonin proteinën, që e ndihmon virusin të hyj në qelizat njerëzore.
Variantet e identifikuara gjenetike deri tani duket se luajnë një rol te madh në shfaqjen dhe manifestimin e kësaj sëmundjeje. Ndjeshmëria ndaj sëmundjeve të tuberkulozit dhe një virusi të mëpërshëm ka qenë e lidhur me disa mutacione të gjeneve të veqanta, që disa individë të caktuar i bartin, dhe tani shkencëtarët janë duke dyshuar se edhe manifestimi i ndryshëm i sëmundjes COVID-19 është i lidhur pikërisht me mutacione të gjeneve të caktuara.
Cila është natyra e imunitetit dhe sa zgjat ajo?
Imunologët janë duke punuar për të pasur nje pasqyrë të asaj si mund të duket imunizimi ndaj COVID-19 dhe sa mund të zgjasë. Shumica e shkencëtarëve janë fokusuar në “antitrupa neutralizues”, të cilat lidhen ne proteinat virale dhe e parandalojnë infeksionin. Ajo çfarë studiuesit kanë zbuluar deri tani është, që nivelet e antitrupave neutralizues ndaj COVID-19 mbetet të larta për disa jave pas infeksionit, por me kohë fillojnë të zbehen.
Sidoqoftë, këta antitrupa mund të qëndrojnë më gjatë tek personat që kishin një gjendje më të rëndë. “Sa më shumë virus, aq më shumë antitrupa dhe aq më shumë këta antitrupa do të mbijetojnë në organizëm”, tha imunologu George Kassiotis nga Londra. Një gjë e tillë është vërejtur edhe në rastet me viruse të tjera, ku pacientët i kanë humbur antitrupat e tyre neutralizues pas pak vitesh nga infeksioni, kurse ata që kishin pasur një gjendje më të rëndë nga virusi, antitrupat u kishin zgjatur deri në 12 vjet pas infeksionit.
Ende është misterioze se çfarë niveli i antitrupave neutralizes duhet për të luftuar ri-infeksionin nga COVID-19. Gjithsesi, shkencëtarët janë shprehur se imuniteti nuk duhet mbështetur vetëm tek antitrupat, pasiqë sistemi imunitar i njeriut është një makinë e mrekullueshme dhe shumë më komplekse sesa vetëm antitrupat.
A ka zhvilluar virusi ndonjë mutacion shqetësues?
Koha e ka treguar, që të gjithë viruset pasi të infektojnë njerëzit pësojnë mutacione dhe ndryshime natyrale, prandaj edhe SARS-CoV-2 nuk bën përjashtim. Epidemiologët molekularë kanë përdorur këto mutacione për të gjurmuar përhapjen globale të virusit. Fatkeqësisht, sipas biologut David Robertson, mutacione të tilla kanë potencialin për të zvogëluar efektivitetin e vaksinave, duke ndryshuar kështu afësine e antitrupave dhe qelizave T për të njohur një lloj ta caktuar të patogjenit.
Mirëpo, gjithsesi shkencëtarët kanë thënë se në përgjithësi shumica e mutacioneve, mund të mos kenë një impakt të tillë. Kështu, mutacionet e shfaqura në fillim të pandemisë në Lombardi të Italisë ose në Madrid, ishin shumë më agresive se sa mutacionet aktuale, prandaj nuk mund të thuhet se mutacionet e viruseve vijnë duke u përkeqësuar.
Debati i tanishëm në mes të shkencëtarëve është se nëse zhvillimi i mutacioneve të virusit është si rezultat i regjionit ku ai përhapet apo si rezultat i ndryshimit biologjik të virusit. Studime të fundit, kanë sugjeruar që mutacionet e zhvilluara e bëjnë virusin edhe më infektiv ndaj qelizave, mirëpo nuk është e qartë se si kjo përkthehet në infeksion tek njerëzit.
A do të jetë vaksina efektive?
Një vaksinë efektive mund të jetë mënyra e vetme për të dalë nga pandemia. Aktualisht ka rreth 200 studime të ndryshme, të cilat janë duke testuar vaksina. Këto prova do të analizojnë shkallët e infeksionit COVID-19 midis personave që marrin vaksinën dhe atyre që marrin një plasebo. Gjithsesi, deri tani janë bërë disa studime me majmunë, ku është vërejtur se vaksina ka arritur të parandalojnë përhapjen e infeksionit në mushkëri, por jo edhe në regjione të tjera. Rezultat të tilla tregojnë se një vaksinë kundër COVID mund ta parandalojë sëumndjen por jo edhe përhapjen e virusit.
Megjithëse të pakta, të dhënat tek njerëzit sugjerojnë që vaksinat COVID-19 e stimulojnë organizmin tonë të krijojnë antitrupa të fuqishëm neutralizues që mund ta bllokojnë virusin. Ende është e paqartë nëse niveli i këtyre antitrupave është mjaftueshëm i lartë për të parandaluar ri-infeksione.
Cila është origjina e virusit?
Shumica e studiuesve pajtohen se koronavirusi SARS-CoV-2 ka origjinën në lakuriqë. Një analizë gjithëpërfshirëse e më shumë se 1.200 koronavirusëve të marrë kampionë nga lakuriqët në Kinë, gjithashtu e tregon një lloj lakuriqi të veqantë, si origjinë te mundshme të koronavirusit të ri. Gjenomi i tij është 96% identik me atë të COVID-19. /Gazeta Express/