Fyti i thatë është një problem i pakëndshëm dhe shpesh i dhimbshëm, që mund të çojë në një shumëllojshmëri sëmundjesh shoqëruese, shkruan “U.S. National Library of Medicine”.
Ato përfshijnë vështirësinë e gëlltitjes, kollitjen, urthin, dhimbje të trupit, vjellje dhe ethe, transmeton lajmi.net.
Fyti i thatë është shpesh i lidhur me frymëmarrjen dhe nganjëherë është një simptomë e hershme e një ftohjeje apo gripi.
Shkaqet e tjera më serioze, si azma ose sëmundja e gastritit të ezofagut, gjithashtu mund të jenë burimi i problemit.
Çfarë e shkakton fytin e thatë?
Shkaqet e fytit të thatë variojnë nga faktorët e mjedisit, si ajri i thatë ose i ftohtë, apo mënyrat e jetesës si pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit.
Fyti i thatë është gjithashtu një efekt anësor nga medikamente të caktuara. Shkaqe të tjera përfshijnë:
- Ngrohësit e brendshëm të shtëpisë apo zyrave që thajnë ajrin
- Konsumi i tepërt i kafeinës dhe alkoolit
- Irritimi i mukozës
- Pirja e duhanit
- Ndotja e ajrit nga pluhurat
- Alergjia
Identifikimi i shkakut të fytit tuaj të thatë është hapi i parë drejt gjetjes së lehtësimit.
Konsultohuni me mjekun tuaj nëse keni mundësi për shkaqet e mundshme. Një mjek mund të testojë për shkaqe më serioze.
Nëse jeni duke marrë ilaçe mjeku është në gjendje të reduktojë ose të ndryshojë medikamentet me efekte anësore problematike.
Trajtimet Natyrale për Fytin e Thatë
Kur vjen puna te trajtimi i gojës së thatë dhe fytit të thatë, rritja e konsumit të lëngjeve është një mënyrë e mirë për të filluar. Trajtime të tjera në shtëpi përfshijnë:
Gargarë me ujë me kripë
Uji i ngrohtë është një mënyrë e thjeshtë për të ndihmuar në lehtësimin e thatësirës së fytit.
Kripërat punojnë për të pastruar dhe tharë lagështinë e krijuar nga bakteret.
Provoni gargarën për rreth një minutë, një ose dy herë në ditë.
Nuk iu pëlqen kripa? Alternativa të tjera të gargarës përfshijnë uthull molle, lëng aloe vera, ose një gjysmë lugë çaji sodë buke përzier në një gotë me ujë të ngrohtë.
Çaj me mjaltë
Mjalti ka veti anti-bakteriale dhe prej shumë kohësh është përdorur për të zbutur fytin e thatë dhe të lënduar.
Përzieni pak mjaltë me çaj mali të ngrohtë për një lehtësim të ndjeshëm.
Lagështia në ajër
Përdorimi i një rregulluesi të lagështrës në dhomën e gjumit është një mënyrë për të luftuar faktorët e mjedisit që mund të çojnë në fytin e thatë.
Ajri i thatë, i përkeqësuar nga përdorimi i ngrohësve të brendshëm gjatë muajve të dimrit, është një nga fajtorët më të zakonshëm.
Nëse nuk keni mundësi të merrni një rregullues lagështie mund të vendosni një enë me ujë ku keni zierë më parë gjethe eukalipti ose gjethe dafine.
Ose në një enë me ujë të nxehtë hidhni vaj esencial bimor, që e gjeni në farmaci.
Ndryshimet e jetesës
Nëse jeni vazhdimisht duke vuajtur me fytin e thatë, duhet të redultoni apo ndaloni pirjen e duhanit, të alkoolit dhe kafeinës.
Cigaret dhe alkooli janë veçanërisht irrituese për indet e fytit./Lajmi.net/