Në rreth 88% të pacientëve të shëruar nga COVID-19, antitrupat në gjak qëndrojnë për gjashtë muaj, sipas një studimi të kryer nga biobanka britanike “UK Biobank”, një nga më të mëdhatë në botë për studimet mbi COVID-19, që analizoi mostrat biologjike të gati 1700 personave.
Gati 20 000 nga vullnetarët dhanë një mostër gjaku çdo muaj midis 27 majit dhe 4 dhjetorit.
Nga këta, 1 699 rezultuan pozitivë për antitrupa ndaj SarsCov2 gjatë kësaj kohe, duke treguar një infeksion të kaluar.
Gjashtë muaj më vonë, u zbulua se 88% e tyre kishin akoma antitrupa të zbulueshëm ndaj virusit në gjakun e tyre.
Studimi tregoi, gjithashtu, simptomat më të përsëritura të përjetuara nga të sëmurët: 26% kishin kollë, 28% ethe, 43% humbën shijen ose nuhatjen, ndërsa 40% nuk pati asnjë nga këto dhe 20% ishin asimptomatikë.
Në grupin e personave që patën antitrupa të SarsCov2, 13% ishin nën 30 vjeç, ndërsa 6,7% ishin mbi 70 vjeç.
“Megjithëse nuk mund të jemi të sigurt se si prania e antitrupave është e lidhur me imunitetin, rezultatet sugjerojnë që njerëzit mund të mbrohen nga një infektim i ri për të paktën gjashtë muaj pas të parit”, tha Naomi Allen, kreu shkencëtar i Biobank./ BBC/ATA